Numërimi i votave preferenciale po nxit një konflikt të brendshëm mes kandidatëve në listën e hapur. Më e ethshme kjo “luftë” është në radhët e Partisë Socialiste, aq sa është dashur ndërhyrja e Edi Ramës në një përpjekje për të shuar sherrin.
Kryeministri Edi Rama ka dërguar mesazhe audio në grupin e aplikacionit “WhatsApp” ku janë të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Fillimisht është drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, i cili tregon për disa kallëzime që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të përgatisë ndaj atyre numëruesve që po manipulojnë votat e kandidatëve.
“Numëruesit do të shkojnë në burg siç ndodhi edhe në 2021, por edhe ata kandidatë që i shtyjnë të bëjnë vepër penale janë po njëlloj fajtor. Mos bini në grackën e sabotimit sepse ofertat që ju vijnë nga PD për bashkëpunim kanë për qëllim hedhjen në erë të procesit zgjedhor”, shkruan Taulant Balla në grup.
Kandidati për deputet Halit Valteri përgjigjet në grup:
“Mundohu t’ja shpjegosh angalisht se shqip nuk marrin vesh. Po bëhen turpi botës duke luftuar njëri-tjetrin sikur jemi armiq dhe jo një familje e madhe që kemi punuar me gjak e me shpirt për një qëllim”.
Pas tij reagimi i radhës gjithë frustrim erdhi nga Julinda Dhame, një tjetër kandidate për deputete në Tiranë.
“Dhe unë e kam bërë e po bëj disa denoncime. Po jua deklaroj këtu që do e çoj deri në fund. Nuk le askënd të më prekë qoftë një votë dhe as t’u shtohet kandidatëve të tjerë. E kam me fakte!”, shkroi Dhame.
Pas këtyre komunikimeve ka ndërhyrë vetë Edi Rama përmes disa mesazheve zanore.
Rama iu është drejtuar nominalisht Valter Halitit dhe Julinda Dhames duke kërkuar që të mos bëjnë “as gërr as mërr..” teksa kërcënoi edhe me ndarje përfundimtare nga Partia Socialiste.
“Uroj që këtë të mos e nënvleftësojë askush që nuk do të ndahet njëherë e mirë me këtë familje politike”, tha Rama.
Kryeministri ka kërkuar vazhdimisht që kandidatët të qëndrojnë larg procesit të numërimit duke dhënë garanci se asnjë manipulim nuk ka për të ndodhur.



