nga Indrit Vokshi
Fiks Fare paska “denoncuar” Gentjan Ndojin duke na thënë se ai në vitin e largët 2004-2005, kur ishte 19 vjeç, ka qenë shtruar disa ditë në spital për “probleme psiqike”.
Gentin e njoh personalisht dhe smë është dukur ndonjëherë “me probleme mendore”. Megjithatë, nëse është shtruar në spital, ka vepruar mirë. Asnjëri prej nesh nuk është “imun” prej problemeve të shëndetit mendor. Rëndësi ka që kushdo prej nesh që ka probleme momentale, duhet t’i trajtojë e t’i shërojë.
Për ata në shqiptarhane të cilët pyesin “a mundet të kandidojë dikush me probleme mendore”, dua të them se një problem i para 20 vjetësh nuk dmth se ekziston edhe sot. Fakti që është shtruar para 20 vjetësh nuk e klasifikon edhe sot si “njeri me probleme mendore”.
E për ketë standard vlen të shtohet diçka:
Health Survey for England (HSE) bashke me King’s College në Angli në vitin 2016 bënë një survejim për deputetët e parlamentit britanik. Rezultoi se 34% e deputetëve të parlamentit britanik kishin përjetuar ankth dhe depresion. Brenda parlamentit britanik ekziston edhe një shërbim i posaçëm për trajtimin e shëndetit mendor ngaqë njerëzit janë të ekspozuar. Problemet trajtohen dhe shërohen.
Bota e civilizuar nuk e ka turp t’i trajtojë këto probleme. Në Shqipërinë e sunduar nga injoranca, media kombëtare, kapen me një person i cili është shtruar disa ditë para 20 vjetësh por sot nuk ka më probleme. Ndërkohë nuk kërkojnë trajtim dhe shërim për politikanë të lartë apo të mesëm të cilët qartazi, sot, shfaqin çrregullime në sjelljen e tyre politike.



