Sali Berisha i rikthehet lirisë me të njëjtat akuza: çfarë fitoi dhe humbi opozita për një vit? – ANALIZA

nga Desada Metaj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga arresti shtëpiak. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë ditën e sotme (27 Nëntor) vendimin për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Berisha.

GJKKO është autoriteti kompetent gjyqësor për vlerësimin dhe vendosjen e masave të sigurimit të subjekteve të hetuar nga SPAK, duke u nisur nga parimet e proporcionalitetit dhe efektshmërisë në raport me natyrën e çështjes dhe subjektin që është në hetim.

Me këtë vendim, thuajse një vit pas masës së arrestit shtëpiak për Sali Berishën, ajo që bie në sy është se GJKKO ka vepruar e pavarur dhe në garantim të mbrojtjes së interesave të subjektit nën hetim. Gjatë gjithë kësaj kohe, në fakt, PD dhe eksponentët e saj e kanë akuzuar Gjykatën e Posaçme si “notere” të SPAK, ndaj nuk dihet si do të reagojnë pas këtij vendimi Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Për thuajse një vit, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij provuan “mosbindjen” civile dhe forma të tjera proteste për të kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak, por në fund vendimi për ta lënë të lirë kryetarin e PD u mor nga institucionet që opozita i ka anatemuar për kohë të gjatë.

Me gjasë, Gjykata Kushtetuese tashmë do vendosë pushimin e çështjes së arrestit në shtëpi, pasi kërkesa e Sali Berishës është pa objekt. Është e vështirë të parashikohet nëse Gjykata Kushtetuese do të ndërhyjë dhe të shprehet për çështje që kanë humbur objektin e tyre, veçanërisht kur këto çështje kanë kaluar në faza të tjera të procedurës dhe kanë humbur relevancën e tyre.

Akti i Sali Berishës duket një “non sens” juridik kur mendon se kundërshtoi vendimin për “detyrim paraqitje”, ndërkohë që beteja ligjore për një vit rresht e riktheu në pikën e nisjes. Politikisht ai e shfrytëzoi arrestin në kushtet e shtëpisë duke e paketuar si “burg politik”, por ndërkohë i gjithë aksioni dhe energjitë e opozitës u përqendruan te masa ndaj tij, duke humbur fokusin nga problemet reale.

Vendimi i sotëm gjithsesi nuk ka lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit për veprën penale të korrupsionit për dosjen “Partizani”.

Latest articles

Related articles