Ndikimi i flukseve të paligjshme financiare (IFF) në Ballkanin Perëndimor daton në kohë dhe është i mirë-dokumentuar, por shkalla në të cilën këto flukse ndikojnë në shoqëri dhe pengojnë zhvillimin dhe rritjen e saj shpesh neglizhohet.
Kështu të paktën vlerëson “Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional” (GI-TOC) në raportin e saj të fundit, ku konfirmon se si korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, pastrimi i parave me bazë tregtare dhe evazioni fiskal vazhdojnë të lehtësojnë IFF-të në rajon.
Aty theksohet fakti se, megjithëse fenomeni përbën një kërcënim për shtetet dhe komunitetet e Ballkanit Perëndimor, shoqëria civile në rajon nuk ka qenë mjaft e angazhuar në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe efektive.
Në një përpjekje për të adresuar këto mangësi dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohuritë për IFF-të në rajon, GI-TOC ka bërë me dije se do të publikojë një paketë mjetesh në internet për IFF-të.
Paketa e veglave interaktive, e strukturuar rreth rezultateve të menjëhershme të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), ofron informacion të vlefshëm në një format të aksesueshëm dhe të përshtatshëm për përdoruesit.
Profilet e detajuara të vendeve sintetizojnë të dhëna nga raportet GI-TOC mbi IFF-të në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi.
Në profilin për Shqipërinë, gjëja e parë që sillet në vëmendje është se trafikimi i drogës ka qenë aktiviteti më fitimprurës për grupe kriminale nga Shqipëria, gjatë 30 viteve të fundit.
Në këtë mënyrë ai kthehet në një faktor të drejtpërdrejtë në rrjedhjen e këtyre flukseve.
Kështu, raporti thekson se kultivimi i kanabisit vazhdon të jetë një problem i madh në disa zona të vendit, megjithë përpjekjet e konsiderueshme të qeverisë për të reduktuar prodhimin që nga viti 2014.
“Kanabisi krijon fitime të paligjshme nëpër të gjithë zinxhirin, që nis nga fshatarët që kultivojnë bimën deri tek grupet e krimit të organizuar që e trafikojnë dhe e shesin në vendet e BE-së”.
Por sidoqoftë – vëren raporti – fitimet nga trafikimi i kokainës janë shumë më të mëdha, deri në 20 mijë euro për kilogram.
Pas trafikimit të narkotikëve, korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike janë burimi i dytë më i madh në Shqipëri.
Krimi ekonomik nga kompani të mëdha dhe evazioni fiskal janë gjithashtu problematike në Shqipëri.
Ekspertët mendojnë se gati 80 për qind e disnivelit midis të ardhurave nga tregtia dhe rezervave të këmbimit valutor mund t’i atribuohen manipulimit dhe mbifaturimit të mallrave dhe shërbimeve që hyjnë në vend.
Një pjesë e madhe e këtyre fitimeve të paligjshme transferohen në para kesh brenda dhe jashtë vendit.
Transportimi i parave mbetet mënyra më e thjeshtë për lëvizjen e vlerave monetare, veçanërisht në një vend që ka qenë historikisht skeptik kundrejt sistemit bankar.
Grupe të krimit të organizuar përdorin rrjetet e tyre të shpërndarjes për këtë qëllim, dhe korrierët e parave udhëtojnë rregullisht ndërmjet vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, dhe Shqipërisë, duke mbajtur me vete jo më shumë se 10 mijë euro për çdo udhëtim, për të mos ngjallur dyshime.
Raportohet se paratë shpesh transportohen përmes kufijve në kamionët e kompanive të import/eksportit, dhe në makina private me ndarje të fshehta.
Shoferët e kamionëve mbajnë një komision prej tetë deri në 15 për qind të shumës.
Sidoqoftë, paratë vazhdojnë të pastrohen nëpërmjet pasurive të paluajtshme, një sektor që vazhdon të përdorë gjerësisht pagesat me para në dorë, shkëmbimet në mallra dhe shërbime.
Po kështu blerjet paraprake të ambienteve përdoren si burime financimi.
Në fakt, përdorimi i gjerë i parave të paligjshme në këtë sektor ka ndikuar në rritjen e çmimit të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në Tiranë.
Edhe shtimi i sulmeve mbi median në Shqipëri është një shqetësim serioz, veçanërisht që nga shpërthimi i pandemisë, pasi mund të kufizojë aftësitë investigative dhe mbikëqyrëse të pushtetit të katërt.



