Imzot Gjergj Meta: Kisha në Shqipëri e inteligjenca artificiale

Sekretari i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë e ipeshkvi di dioqezës së Rrëshenit, imzot Gjergj Meta reflekton rreth Mesazhit të Papa Françeskut për Ditën e 58-të Botërore të Komunikimit Shoqëror 2024, bërë të ditur më 24 janar, në të cilin Ati i Shenjtë Bergoglio reflekton mbi mundësitë dhe rreziqet e Inteligjencës Artificiale dhe të teknologjive të reja, të cilat “po e ndryshojnë rrënjësisht informacionin” në realitetin bashkëkohor. Të ndjekim reflektimin e imzot Gjergj Metës:

Imzot Gjergj Meta

Inteligjenca artificiale dhe urtia e zemrës: për një komunikim plotësisht njerëzor

Papa Françesku, qysh në titull dhe në parashtrimin e këtij mesazhi, lidh ngushtë inteligjencën artificiale me urtinë e zemrës. Ai vazhdon atë që ka thënë në mesazhin për Ditën Botërore të Paqes që këtë vit ia ka kushtuar raportit midis inteligjencës artificiale dhe paqes. Papa pra i kthehet edhe një herë kësaj teme, duke na thënë me këtë rëndësinë dhe urgjencën që mvesh kjo temë për ditët e sotshme e rreth të cilës Kisha duhet të reflektojë.

Skenarët e rinj që po na paraqet inteligjenca artificiale, nuk duhet të shihen si katastrofike, por ata, të trajtuara me urti, mund të çojnë drejt një komunikimi më njerëzor.

Në gjuhën italiane Papa Françesku e lidh fjalën sapienza me latinishten sapientia që ka edhe kuptimin e shijes, të kripës. Në gjuhën shqipe mund të bëjmë një shpjegim të ndryshëm, por të rëndësishëm. Fjala urti në fakt në etimolgjinë e saj ka edhe fjalën urë. Njeriu i urtë është njeriu i shtruar si një urë, por mund të themi se njeriu i urtë është edhe ai që ndërton ura. Në këtë kuptim inteligjenca artificiale në dorë të njeriut të urtë përdoret për të ndërtuar ura komunikimi dhe jo ndarje apo diskriminim.

Fjala inteligjencë i referohet më shumë njeriut se sa makinës. Ajo është një atribut i njeriut. Njeriu është i aftë që të jetë inteligjent, pra i aftë për të lexuar brenda gjërave, në thelbin, brendinë, esencën e tyre. Një makinë mëson nëpërmjet përdorimit të njeriut që të kryejë disa funksione, madje edhe të avancuara, por i mungon aftësia për të reflektuar, për të hyrë në një marrëdhënie e për të krijuar empati. Prandaj makinat sado të zhvilluara të jenë nuk mund të zëvendësojnë njeriun dhe komunikimin njerëzor.

Papa Françesku në mesazhin e tij kthehet edhe një herë të ideja e algoritmit, duke bërë thirrje për një përdorim etik të tij edhe në përzgjedhjen e informacionit. Përsërit ftesën e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar për gjetjen dhe hartimin e rregullave të përbashkëta për përdorimin e inteligjencës artificiale.

Asnjëherë inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë punën e një profesionisti në fushën e gazetarisë, por i bëhet atij ndihmë në bërjen sa më mirë të punës së tij. Fenomene si fake news apo edhe deep fake, që ka të bëjë direkt me inteligjencën artificiale, subjekt i së cilës thotë Papa ka qenë edhe ai me imazhin e tij, mund të kthehen në një shtrembërim të raportit me të tjerët dhe me realitetin.

Inteligjenca artificiale është një instrument në dorën e njeriut dhe ai ka mundësi ta përdorë atë për mirë, për të shërbyer, për të promovuar të mirën e përbashkët ose për të krijuar një logjikë diskriminimi apo edhe sulmi ndaj një kategorie tjetër. Me inteligjëncën artificiale mund të jepen informacione, por mund të bëhen edhe luftëra paralele.

Janë një sërë pyetjesh që Papa Francesku parashtron në përfundim të mesazhit të tij e që kërkojnë një përgjigje nga ana jonë. “Nga përgjigjet që u jepen këtyre pyetjeve do të marrim vesh nëse inteligjenca artificiale do të arrijë të ndërtojë kasta të reja të bazuara mbi sundimin informativ, duke krijuar kështu forma të reja shfrytëzimi apo pabarazie; apo nëse në të kundërt do të sjellë më shumë barazi duke promovuar një informacion korrekt dhe një vetëdije më të madhe të kalimit të epokës që po përshkojmë, duke i dhënë përparësi dëgjimit të nevojave të shumta të personave dhe popujve, në një sistem informimi të artikuluar dhe pluralist.”

Sigurisht është një temë që nevojitet të trajtohet edhe në vendin tonë e nga Kisha jonë lokale në Shqipëri, sidomos në çështjet e përdorimit të algoritmeve që kanë të bëjnë me dhëniet e dokumenmtave, të asistencave për të varfërit, për përfshirjen apo skartimin e atyre që trokasin në dyert e institucioneve. Asnjëherë makina nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë kontaktin njerëzor, trupin e tij e nevojat e tij jetësore e aq më keq t’i trajtojë ata vetëm thjesht në mënyrë mekanike.

Po ashtu në etikën e komunikimit ka shumë rëndësi vendosja e rregullave dhe moslejimi i inteligjencës artificiale në sulmin ndaj kundërshtarëve politikë apo të atyre që na pengojnë në rrugëtimin tonë. Mediat kanë përgjegjësisi e po ashtu operatorët që punojnë në to që të përdorin këto instrumenta në mënyrën më etike të mundshme, pa cënuar askënd, pro në shërbim të së vërtetës dhe të së mirës së përbashkët.

Latest articles

Related articles