Reforma zgjedhore, lajmi i shumëpritur për Shqiptarët!

Ardit Haxhija

Me hyrjen e demokracisë, Shqipëria ka eksperimentuar lloje të ndryshme të sistemeve zgjedhore, duke çoroditur votuesit. Kodi i fundit, i ndryshuar në vitin 2009, ka sjellë jo pak vështirësi në procesin zgjedhor. Këto probleme vazhdojnë të ndikojnë edhe sot, duke e mbajtur vendin nën udhëheqjen e një partie për më shumë se 10 vjet dhe penguar rotacionin politik. Mungesa e rotacionit është një problem i pazgjidhur që i shkakton dëm shumë të madh vendit. Opozita duhet të jetë e interesuar për një ndryshim të kodit zgjedhor që do t’i mundësonte asaj të kthehej në një faktor qeverisës.

Shqipëria aktualisht është e ndarë në zona zgjedhore të ndryshme, në të cilat votat e qytetarëve nuk janë të barazvlefshme në të gjithë vendin. Qarku i Kukësit, me 40 mijë votues, nxjerr 4 deputetë, ndërkohë që qarku i Tiranës, me 480 mijë votues (12 herë më shumë), nxjerr 36 deputetë. Me këtë logjikë, qarku i Tiranës do të kishte 48 deputetë dhe parlamenti do të kishte rreth 200 deputetë. Zgjidhja më e logjikshme do të ishte që deputetët të dalin nga pjestimi i numrit total të votuesve në të gjithë Shqipërinë me 140, ku çdo qark do të merrte aq deputetë sa ka banorë.

Një problem tjetër është lista e mbyllur, e cila ka krijuar liderë të fortë duke ulur forcën e deputetëve dhe i ka kthyer ata në shërbëtorë të kryetarëve. Listat e hapura do të ishin zgjidhja për këtë problem, duke mundësuar kandidatët që marrin më shumë vota të bëhen deputetë.

“Në opinionin tim, zgjidhja më e mirë do të ishte përdorimi i sistemit mazhoritar relativ, ku Shqipëria ndahet në 140 zona elektorale me numër të njëjtë votuesish. Në këtë rast, çdo kandidat do të garonte ballë për ballë dhe fituesi do të ishte ai me më shumë vota. Kjo do të mundësonte një përfaqësim direkt të çdo zone dhe deputeti do të kishte përgjegjësi të drejtpërdrejta për zonën që e ka zgjedhur. Megjithatë, ndoshta koha është e pamjaftueshme për një ndryshim të tillë, por jo e pamundur.”
Në këtë faze që jemi është shumë e rëndësishme që opozita të unifikohet për një ndryshim të kodit zgjedhor që do t’i mundësonte asaj ardhjen në pushtet. Është koha që opozita të lërë pas inatet personale dhe të vë demokracinë dhe Shqipërinë mbi çdo gjë. Në anën tjetër, qeveria nuk ka asnjë interes për ndryshime që cënojnë pushtetin e saj. Nëse pjesë të opozitës nuk angazhohen në ndryshimet e kodit zgjedhor, ato në mënyrë të drejtpërdrejtë i shërbejnë Status Quo-së.

Latest articles

Related articles