Kontrata e inceneratorit si fabulat e Ezopit – Analiza e Zef Preçi

ZEF PREÇI

Në dokumentin zyrtar të titulluar: “Kontrata e Koncesionit për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”a – Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë (ZTMT) ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Shoqërisë “Integrated Energy BV SPV shpk”, janë parashikuar formalisht edhe disa modalitete të zgjidhjes së kontratës së koncesionit.

Në fakt, në të njëjtin dokument përcaktohet se ky koncesion është i llojit BOT dmth., Ndërto-Përdore-Transferoje. Ndërsa ndër kushtet e zgjidhjes së kontratës përmendet edhe rasti kur “Koncesionari braktis projektin” (pika Mospërmbushjet nga Koncesionari (fq.37), duke përmendur ndër të tjera edhe faktin së konsiderohet braktisje, nëse koncesionari “ndalon pa asnjë arsye ndërtimin e të gjitha punimeve thelbësore në vepër për një periudhë më të gjatë se 180 ditë” (fq. 37).

Meqenëse tashmë është e provuar publikisht se vepra (dmth., inceneratori dhe pjesët e tjera teknologjike) nuk ekziston dhe nuk besoj se ka akoma ndonjë institucion apo agjenci shtetërore (përveç atyre që janë paguar nga mafia e inceneratorëve) që mund të konfirmoje të kundërtën, përdorimi i mekanizmave juridike që parashikon kjo kontratë për zgjidhjen e saj është detyrim ligjor i pashmangshëm i institucioneve publike përgjegjëse për menaxhimin e buxhetit të shtetit.

Në vlerësimin tim, koha që ka kaluar qysh nga pajisja e koncesionarit me sheshet e ndërtimit dhe lejet përkatëse dhe mosfillimi i punimeve dhe importimit të pajisjeve përkatëse e ka sjellë të gjithë kontratën përkatëse e braktisjes së projektit, saktësisht siç parashikohet në të. Me këtë rast lind pyetja: Çfarë e pengon autoritetin kontraktues (Ministrinë e Mjedisit dhe Avokatin e Shtetit) të procedojë me fillimin e procedurave për zgjidhjen e kontratës?

Aq më tepër që zëra të besueshëm konfirmojnë se njësia e zbatimit të projektit “e përbërë nga 5 anëtarë nga të cilët, 2 përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, 1 përfaqësues i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, 2 përfaqësues të Bashkisë Tiranë” (po aty. Fq 9), nuk është mbledhur kurrë duke shkelur parashikimin kontraktual që duhej të mblidhej të paktën një herë në 3 muaj për të monitoruar “përmbushjen nga koncesionari të detyrimeve të tij, në lidhje me përmbushjen e objektit të kësaj kontrate dhe konform detyrave të përcaktuara këtu nën këtë kontratë” (po aty, fq. 23).

Mendoj se është pikërisht kjo hallkë, që duhet të konstatoje dhe denoncojë moskryerjen e punimeve deri më sot, mungesën e pajisjeve dhe makinerive përpunojnë mbetjet urbane e të makinerive, që mundësojnë prodhimin e energjisë elektrike, problemet me ndotjen mjedisore në zonat përreth, për shkak të stokimit të mbetjeve të papërpunuara, etj., që përbëjnë edhe prova ligjore për braktisjen e punimeve nga koncesionari dhe shkakun e përligjur për të nisur zgjidhjen e kontratës nga pala qeveritare.

Nuk e teproj të them se sjellja e derisotme e institucioneve publike përgjegjëse për zbatimin e kësaj kontrate, e qëllimshme ose jo, duket se i shërben kështu vazhdimit të pagesave nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria (dmth., sigurimit të përfitimeve të pamerituara nga ana e koncesionarit), për punë të pakryer (të paktën për incenerimin që nuk kryhet) dhe dyshimit tashmë të bazuar për përfitime korruptive për zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë aferë. Në të njëjtën kohë, kjo sjellje rrezikon të çojë në situatën kur zgjidhja e kontratës së koncesionit në fjalë të bëhet objekt i Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke cenuar kështu interesat e shtetit shqiptar.

Në kushtet e mosveprimit të pashpjegueshëm të derisotëm të institucioneve qeveritare përgjegjëse e ftoj publikisht SPAK-un dhe GJKKO, që ashtu si në rastin e koncesionit të sterilizimit, të urdhërojnë autoritetin kontraktor (në rastin tonë Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit) për fillimin e procedurave ligjore për anulimin e kësaj kontrate.

Kjo do të krijonte mundësi për të ushtruar çdo institucion detyrimet e veta sipas ligjit, por edhe do të shmangte një rrezik edhe më të madh: trajtimin nga koncesionari të sekuestros provizore aktuale si: “Shpronësimi, rekuizimi, konfiskimi apo shtetëzimi i Impianteve, i kuotave të koncesionarit ose të të drejtave të koncesionit”, të parashikuar në të njëjtin dokument si “Veprim shtetëror thelbësisht në kundërshtim me kontratën” (fq. 13).
Ndërmarrja e hapave të nevojshme për nxitjen e zgjidhjes së kësaj kontrate nga SPAK dhe GJKKO nuk do të pengonte aspak hetimet penale në proces për dyshimet për korrupsion dhe vendimmarrje klienteliste, por do të ndihmonte që agjencitë publike, dikasteret dhe Bashkia e Tiranës të përfshira në këtë aferë të ushtronin përgjegjësitë veta institucionale dhe kontraktuale dhe jo t’u ikin këtyre përgjegjësive, siç edhe kanë e bërë gjatë katër-pesë viteve të fundit…

Në të kundërt, mosveprimi i institucioneve përgjegjëse, pavarësisht hetimeve te SPAK-u që duhen mbështetur fuqimisht, rrezikon të komprometojë edhe më shumë vendimmarrjen qeveritare dhe përfshirjen e qëllimshme të Bashkisë së Tiranës në një aferë që do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë gjatë tërë periudhës së koncesionit rreth 1 miliard euro. Në këtë kuptim, inicimi i zgjidhjes së kontratës në fjalë na sjell te situata e frazës latine të marrë nga një nga fabulat e Ezopit: “Hic Rhodus, hic salta” (Këtu është Rodi, këtu kërce)…

Ndëshkimin e personave përgjegjes për cenimin e interesit publik në kontratat korruptive të këtij lloji tashmë nuk e ndalon dot as vetë SPAK-u.

Latest articles

Related articles