Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i katër viteve më parë u përllogaritën në mbi 1 miliardë euro. Në këtë shifër përfshiheshin banesat e dëmtuara pjesërisht, apo plotësisht të qytetarëve si dhe infrastruktura rrugore, ajo e arsimit dhe në shëndetësi.
Qeveria nisi menjëherë një program agresiv për rindërtimin, duke ngritur edhe një ministri më vete në kabinet. Shifra e vënë në dispozicion për këtë qëllim në vitet 2020 dhe deri këtë vit shkon mbi 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
9 miliardë lekë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik, 8 miliardë lekë janë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë u ndanë për këtë vit. 5 miliardë lekë janë grante të huaja apo hyrje në cash janë përdorur për këtë process.
Deri në qershor të këtij viti, sipas një deklarate të ish-ministres së Financave, Delina Ibrahimaj në Kuvend, rindërtimi ka kushtuar gati 118 miliardë lekë, ose gati 1.1 miliardë euro me kursin e këmbimit aktual.
Burimet e financimit kanë qenë riorientimi i fondeve të parashikuara për investime si dhe huamarrja. E ndarë sipas viteve, në 2019 qeveria shpenzoi menjëherë pas tragjedisë 540 milionë lekë nga fondi rezervë. 17 miliardë u alokuan në vitin 2020 dhe gati 30 miliardë lekë në 2021 dhe 2022. Për 2023, qeveria ka ndarë 17 miliardë të tjera po për këtë qëllim.
Megjithatë, rindërtimi nuk përfundon as këtë vit. Në buxhetin e miratuar në parim për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar edhe 7 miliardë lekë të tjera.
Përfitues nga programi i rindërtimit janë gati 40 mijë banorë, kryesisht në Durrës. Te kjo shifër nuk përfshihen banorët që kanë përfituar nga rindërtimi i donatorëve, si Thumana, apo Laçi.



