Burime brenda qeverisë shqiptare konfirmojnë kryeministri, Edi Rama, ka reabilituar ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca të cilën e kishte shkarkuar në 4 shtator pas një skandali korrupsioni, (Rreth 34 milion euro abuzim), me fondet europiane për fermerët shqiptarë, i cili po hetohet nga BE por edhe është në procedim nga SPAK. Mësohet se prej disa ditësh, Edi Rama, e ka strehuar Krifcën në katin e tretë të godinës së kryeministrisë, ku ka nisur punë si këshilltare e tij.
Përveç hetimit intesiv që po kryhet nga institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian për një skemë korrupsioni me paratë e taksapaguesve europianë, në datë 12 shtator “Nisma Thurrja” ka denoncuar në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe disa zyrtarë të AZHBR-së, në lidhje me abuzimet me fondet e Ipardit, që u ndërprenë nga BE.
Kujtojmë se në muajin 19 korrik të këtij viti, Komisioni Europian, ka ndërprerë fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.
Lajmi u konfirmua për mediat shqiptare nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, që sqaroi se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.



