Biznesmeni Gjergj Luca ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar se katër punonjës dhe kapiteni i anijes së peshkimit të kompanisë Rozafa, kanë vjedhur një velierë në portin e Limionit.
Katër punonjës të peshkimit si dhe pronari i një anijeje të sekuestruar janë vënë në prangat e policisë së Sarandës.
Blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije se në pranga kanë rënë katër shtetasit egjiptianë, punonjës peshkimi, si dhe pronari i anijes së sekuestruar në qeshor të këtij viti.
Sipas policisë, ata kanë marrë nga Porti i Limionit në Sarandë anijen që qëndronte e bllokuar prej disa muajsh. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për punonjësin e policisë kufitare që kishte për detyrë të ruante mjetet e sekuestruara.
“Një sqarim me detyrim. Jo vetëm si qytetar i përgjegjshëm por edhe si president i Korporatës Rozafa e ndjej për detyrë të sqaroj tallavanë e lajmeve të djeshme e të sotme që qarkullojnë në portalet cinike dhe gjobëvënëse…
Rozafa dhe gjithë menaxhmenti e punonjësit e saj janë e do të jenë në respekt të ligjit pavarësisht se cila parti është në pushtet!
Është një keqkuptim, më thonë mua se Rozafa dhe peshkatarë të Rozafës kanë vjedhur një velierë unë u bëj një pyetje. Sipas legjislacionit dhe kodit detar shqiptar ajo velierë është pronë e kompanisë Rozafa.
Peshkatarët e mi kanë vjedhur pronën e kompanisë së tyre. Uroj të sqarohet kjo punë, sepse nuk ka asnjë logjikë kjo që ka ngritur policia kufitare. Mendoj se është një keqkuptim”, tha Luca.
Një ditë më parë policia, vuri në pranga 5 persona, që sipas bluve të Sarandës kanë vjedhur me një anije peshkimi, mjet lundrues tip veliere që ishte vendosur në sekuestro në muajin qershor të këtij viti.
Të arrestuarit janë:
Andon Prenk Nako, kapiteni i anijes ‘Rozafa 14’ i datëlindjes 17.11.1970 lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë.
Mohuamet Elashamy i datëlindjes 13.03.1980, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Samir Ghonim i datëlindjes 01.09.1983, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Abdou Elazantaëy i datëlindjes 16.09.1968, lindur në Egjipt, banues në Lezhë.
Ibrahim Abushahin i datëlindjes 29.10.1989, lindur në Egjipt banues në Lezhë.