Tri institucionet e drejtësisë bashkëbisedim me juristë të Diasporës

spot_img
Advertisements

Shoqata e avokatëve shqiptaro-britanikë (BALA), në bashkëpunim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, organizoi një bashkëbisedim panelistësh të nivelit të lartë me juristë nga diaspora shqiptare, të cilët ndodheshin në Tiranë në kuadër të Samitit të IV të Diasporës.

Në takimin, i cili u mikprit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, morën pjesë gjithashtu Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Diskutimi i moderuar nga kryetarja e Shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanikë, znj. Brikena Muharremi, u fokusua në temën “Reforma në drejtësi në Shqipëri dhe kontributi i diasporës shqiptare për shtetin e së drejtës”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve vendase dhe ekspertizës së diasporës në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Duke u uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve, z. Metani u shpreh se institucionet kanë detyrimin, që marrëdhënia me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të marrë të njëjtën vëmendje, si ajo me qytetarët që jetojnë në Shqipëri.

Gjatë një prezantimi të shkurtër të funksioneve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ai theksoi se themeli i punës së këtij institucioni është gjetja e balancës mes përgjegjshmërisë që duhet të kenë magjistratët për funksionin e tyre dhe respektimit të pavarësisë së tyre. Sipas tij, kontrolli nga ILD nuk është çështje emocionesh, por një detyrim që buron nga ligji. Z. Metani nënvizoi se është thelbësore që gjyqtarët dhe prokurorët të ndiejnë se puna e tyre kontrollohet në mënyrë kushtetuese.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, e vlerësoi takimin si të rëndësishëm, duke theksuar se është thelbësore, që profesionistët e ardhur nga diaspora të kuptojnë shërbimin që ofron institucioni i prokurorisë dhe të kenë një perceptim të drejtë mbi punën e tij. Ai u ndal te transformimi i thellë që ka pësuar sistemi për shkak të reformës në drejtësi, duke evidentuar se pritshmëritë e publikut jane te larta, por kjo është një sfidë afatgjatë dhe e perditshme. Si një nga risitë kryesore të reformës në drejtësi, z. Çela evidentoi faktin se sistemi i prokurorisë tashmë është tërësisht i decentralizuar dhe pavaresinë e prokurorëve, që e ka bërë edhe më kompleks menaxhimin e sistemit.

Juristët nga diaspora, të ardhur nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Zvicra, u interesuan mbi mundësitë konkrete për të kontribuar në Shqipëri.

Metani solli rastin e ILD-së, duke bërë të ditur se dy studentë të drejtësisë që jetojnë në Londër, do të kryejnë praktikë (internship) pranë këtij institucioni në muajin qershor, ndërsa tri kërkesa të tjera janë në shqyrtim. Ai theksoi se institucioni mirëpret çdo kontribut, si për punësim, sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, ashtu edhe për angazhime konsulence apo studimore.

Lidhur me kontributin konkret të diasporës, z. Rusi u shpreh se dyert e Këshillit të Lartë Gjyqësor janë të hapura për profesionistët e fushës sipas kritereve ligjore, dhe akoma më shumë për studentët e interesuar për mundësi praktike. Ai bëri të ditur se KLGJ ka shpallur thirrje për lehtësues dhe trajnues për administratën gjyqësore dhe përmes bashkëpunimit me partnerë si Bashkimi Evropian, OSBE dhe Këshilli i Evropës, çdo i interesuar mund të bëhet pjesë.

Nga ana e tij Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela evidentoi se në fazën negociuese ku ndodhet Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çdo kontribut nga diaspora shqiptare është i mirëpritur dhe me interes për arritjen e këtij objektivi kombëtar.

Në përgjigje të interesimit për rritjen e besimit të publikut, tre drejtuesit e institucioneve u shprehën se pritshmëritë e larta mbeten një sfidë, por përpjekjet janë të vazhdueshme, që vendimmarrja të bazohet jo në emocione të momentit, por në zgjidhje të qëndrueshme dhe të mbështetura në ligj, të cilat i rezistojnë kohës.

“Reforma në drejtësi ka ndërtuar një arkitekturë të re të ndarjes së pushteteve, duke garantuar njëkohësisht pavarësinë dhe mekanizmat e kontrollit. Një element i rëndësishëm për besimin publik është pikërisht kjo arkitekturë, ku institucionet kontrollojnë njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është një autoritet absolut, pasi vendimet e tij mund të ankimohen dhe kontrollohen nga Këshillat. Nga ana tjetër, vendimet e Këshillave i nënshtrohen kontrollit nga trupat gjyqësore të apelimit, ndërsa vetë Këshillat kontrollohen nga ILD. Kështu, e gjithë struktura e reformës mbështetet mbi parimin e ndarjes së pushteteve, por edhe mbi kontrollin dhe balancën ndërmjet tyre.”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.

spot_img

Latest articles

Related articles