Balloja e të divorcuarve – Dash Kokonozi analizon ballon më të re në Paris

spot_img
Advertisements

.
Një kafe e stilit art deco të fillim shekullit të shkuar, në të dalë të qytetit. Asnjëherë nuk më ishte bërë mbarë të futesha në të, deri ditën kur një shi i madh më zuri para saj. Mjedisi brendshëm plot foto të mëdha makina garash të viteve ’30, deri edhe te dera e tualetit, m’u duk se ishte dekori i saj më i natyrshëm. Porosita kafenë dhe ndërsa këmbeja ndonjë fjalë me banakierin, më tërhoqi vëmendjen një derë që hapej e mbyllej në fund të saj.
Njerëzit që shihja të futeshin aty, nuk i shihja të dilnin më. Kur dera hapej dëgjoja një muzikë e trishtuar e një kohe tjetër, sa pata frikë se në vazhdim do të dëgjoja të tmerrshmen e “E djela e zymtë” të hungarezit Seress, për të cilën kisha dëgjuar se atëbotë u ndalua të transmetohej sepse shumë çifte vrisnin veten. Nuk desha të besoj se aty ishte një dhomë e izoluar vetëvrasjeje.
Banakieri më shpjegoi se ishte një mjedis që funksiononte prej kohësh si sallë vallëzimi, por me një tematikë të caktuar çdo javë. Atë ditë ishte “balloja e të divorcuarve”.
Mendova se aty mund të hyjë kushdo. Është e pamundur që në këtë botë të ketë njëri që të mos jetë divorcuar qoftë edhe një herë në jetën e tij, edhe pa qenë i martuar.
Këto ia thashë edhe banakierit.
Ai qeshi. Nuk ke pse justifikohesh më tha. Hyrja është e lirë për të gjithë. Veçse repetori i muzikës është i paracaktuar sipas tematikës.
Shtyva derën që më nxori në një mjedis gjysmë të errët të një salle pa dritare. Ata që i kisha parë të hynin aty vetëm, tani ishin duke kërcyer nën ritmin e asaj muzikës që e njihja tashmë. Dy-tre gra kërcenin fillikat.
Nuk m’u duken se të gjithë kishin ardhur aty që kërkonin miqësinë e një nate, një partner seksual. Këtë mendim sikur ta detyronte edhe vetë muzika. Asgjë e ngjashme me kërcimin e atyre të çmendurve që sapo janë liruar nga zinxhirët e ndryshkur të ndonjë lidhjeje që i kishte rraskapitur…
Njëra nga gratë që po kërcente vetëm, erdhi të ulej te një tavolinë jo larg meje. U ula dhe unë aty. Vetëm pasi u rehatova në karrige, i mora leje nëse mund të ulesha. Nuk foli fare. Madje nuk e di edhe nëse më dëgjoi.

  • Një kafe? – e pyeta duke u penduar ende pa mbaruar fjalën.
  • Jam deri këtu, – tha duke vënë dorën te gryka.
    Ktheu përsëri kokën të më shohë për herë të parë me vëmendje, pastaj më harroi fare.Nuk paraqisja asnjë interes. Ajo që më bëri përshtypje ishte se hera herës kthente kokën nga dera që hapej.
    Në sallë muzika vazhdonte me të njëtin ritëm, por çiftet befas m’u dukën më të lodhur. Nga altoparlantët kishte nisur të dëgjohej muzita e “Graceful Touch” të T. Gustavsen-it. Disa syresh lektiseshin me kokën të mbështetur te supet e njëri tjetrit. Gati të besoje se kishin nevojë t’i mbante dikush.
    Nëse kanë ardhur si të divorcuar, thashë, mbase ajo muzikë do t’i shtynte të shiheshin sy më sy, për të gjetur në to elementë të një dashurie të re, por ata sikur u mbyllën në një kafaz nostalgjie nga e cila nuk çliroheshin dot.
    Kur gruaja ktheu edhe një herë kokën nga dera, zgjata dorën dhe e vura mbi pëllëmbët e saj.
  • Vë bast se ju vinit këtu shpesh.
  • E rëndësi ka, pyeti ajo.
  • Asnjë rëndësi i thashë, dha e tërhoqa menjëherë dorën nga frika se ajo do ta kuptonte se nuk i thashë tamam atë që mendoja.
    Ajo u ngrit të kërcejë përsëri. Vetëm për vetëm. Dhe sa hapej dera kthente menjëherë kokën andej.
    Ndarja është më shumë se në ndarje. Ajo të lë krejt bosh e të zbrazët brenda vetes! Dhe kur ndarjet janë brutale, pa asnjë shpjegim, pa dialog, pa kontakt, atëherë dhuna që ndjen është e padurueshme! Sikur e shihja këtë në çdo lëvizje të tyren.
    Kisha përshtypjen se ata kishin nevojë ta përfytyronin veten ende në krahët e dashurive të dikurshme, nga të cilat kurrë nuk ishin ndarë.
    Kishin ardhur aty duke besuar se mund të fillonin gjithçka nga e para. Dhe kishin gënjyer veten. Nuk ishin ende të gatshëm.
spot_img

Latest articles

Related articles