Bano: Buxheti 2024, ulje drastike e financimit në arsim, ky është buxheti i mjerimit dhe denigrimit

spot_img
Advertisements

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe deputetja Eralda Tase Bano në një deklaratë për mediet ditën e sotme deklaroi se mazhoranca po nxiton të miratojë projektbuxhetin 2024, pasi sipas saj ai ka ulje drastike të shifrave të financimit në sektorin e arsimit.

Bano kujtoi se Qeveria ishte zotuar që në mandatin e parë për një financim prej 5% të GDP, për sektorin e arsimit, gjë që sipas saj, nuk është arritur kurrë.

Ndërkohë, tha Bano, në vitin 2024, në tërësi sektori i arsimit do të shkojë vetëm 2.3% të GDP.

“Shifrat e financimit në arsimin e lartë, mbështetja për studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencor ka qenë në nivele mjaft të ulëta. Ne jemi vendi më i varfër me koston më të lartë të studimeve në fushën e Mjekësisë që ka ndonjë universitet publik në Evropë”, u shpreh deputetja.

“Nuk na thuhet në këtë buxhet sesa do të jetë rritja e pagave të pedagogëve? Nuk është pasqyruar në këtë buxhet, sesi do të bëhet kontrolli i plagjiaturave i premtuar dhe programuar që në 2018, me “Paktin për Universitetin”, kur do të kemi së paku një kampus universitar, sa laboratorë e biblioteka do të jenë në shërbim të pedagogëve, studentëve dhe kërkuesve shkencorë?”, vijoi ajo.

Sipas saj, janë një sërë pyetjesh që nuk marrin përgjigje.

“Prandaj mund të themi me plot gojën që ky është buxheti i mjerimit, shkatërrimit dhe denigrimit të plotë arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, pasi qeveria kurrë nuk e ka pasur dhe nuk e ka arsimin sektor prioritar”, tha Bano.

spot_img

Latest articles

Related articles