Policia Rrugore e Shkodrës njofton se gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar 4 drejtues mjetesh, ndërsa janë vendosur mbi 1500 gjoba. Gjithashtu janë pezulluar 7 leje drejtimi.
“Kontrolle të shtuara nga Policia Rrugore në Shkodër, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar në qytet. Shërbimet e Policisë monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti”, njofton Policia.
“Gjatë 2 javëve të fundit, janë vënë në pranga 4 drejtues mjetesh, janë proceduar penalisht 21 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 7 leje drejtimi, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”, bëhet me dije në njoftim.
“Si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore janë ndëshkuar:
– 764 drejtues mjetesh për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
– 35 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara;
– 13 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 41 drejtues motomjetesh për mos-vendosje të kaskës mbrojtëse;
– 44 drejtues automjetesh për mos-vendosjen e rripit të sigurimit;
– 873 drejtues automjetesh për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore”, përfundon Policia.