Itali, operacion antiterror, prangosen dy egjiptianë, kërcënuan edhe kryeministren Meloni

Një shtetas egjiptian dhe një shtetas italian me origjinë egjiptiane u arrestuan të martën në një operacion antiterror, të kryesuar nga prokurorët në Milano. Kjo u bë e ditur nga policia nëpërmjet një deklarate.

Operacioni antiterror u koordinua nga prefektura e Milanos dhe përfshiu edhe njësi speciale të policisë italiane të sigurisë.

”Dy personat akuzohen për shpërndarje aktive të propagandës së Shtetit Islamik në internet dhe për kontribut në financimin e milicisë terroriste”, deklaroi Zyra e Prokurorit Publik të Milanos.

Dy të dyshuarit e IS-it zhvillonin aktivitete propagandistike, si dhe kërkonin të rekrutonin bashkëpunëtorë në internet dhe dërgonin para një grupi terrorist në Lindjen e Mesme.

“Të dyshuarit bënë kërcënime edhe ndaj përfaqësuesve të lartë institucionalë në Itali, duke përfshirë kryeministren, Giorgia Meloni për sulme të dhunshme, nëpërmjet Facebook dhe shërbimit të mesazheve në Whatsapp dhe Telegram”, thanë burime me njohuri për hetimin.

Qeveria italiane do të vazhdojë të vendosë masa të forta kundër terrorizmit, tha ministri i Jashtëm, Antonio Tajani të martën pas arrestimit të dy militantëve të dyshuar të grupit xhihadist të Shtetit Islamik në Milano.

“Faleminderit policisë dhe gjyqësorit për operacionin që çoi në arrestimin e dy militantëve të ISIS-it”, tha ai në X (Twitter).

“Qeveria do të vazhdojë të punojë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, gjithashtu përmes masave të ashpra parandaluese. Linjë e ashpër kundër terrorizmit.”, shkroi Tajani.

Kërcënimet ndaj hebrenjve në mediat sociale

Dy egjiptianët në mesazhet e tyre në rrjetet sociale adresuan “kërcënime konkrete ndaj hebrenjve, edhe me pasazhe mjaft të forta”, tha prokurori i Milanos, Marcello Viola, në konferencën për shtyp për arrestimet.

“O majmunë dhe derra! Monoteistët do t’ju therin si dele. Premtimi i Allahut. Dhe Allahu e mban premtimin e tij”, thuhet në një mesazh në arabisht të postuar në Facebook. “O hebrenj majmunë! Takimi ynë i afërt është në Jerusalem”, lexohet në një fragment tjetër.

Kush janë të arrestuarit?

Hetimet, të kryera nga njësia ndërkombëtare kundër terrorizmit e selisë së policisë së Milanos dhe departamenti i policisë postare të Umbria, dolën nga monitorimi i të dhënave me burim të hapur (Osint) në faqet dhe platformat sociale. Prej aty hetuesit mbërritën te të arrestuarit e sotëm: dy egjiptianë të moshës 40 deri në 50 vjeç, me banim në brendësi të Milanos dhe të punësuar në sektorin e pastrimit, njëri si punonjës, tjetri pronar i një kompanie tashmë të mbyllur. Gjatë kontrollit atyre ju gjet edhe një video e betimit të tyre për besnikëri ndaj ISIS-it. Adnkronos

Latest articles

Related articles