Të dhëna të reja rreth Mbretërisë së Arbërisë

Dr. Nikollë Loka


Anzhuinët e Napolit në synimet e tyre për zgjerim, që shkonte deri në pushtimin e Konstandinopojës, e kishin të domosdoshëm një vend në bregun lindor të Adriatikut, prej nga do të niseshin për realizimin e synimeve të tyre. Nga ana tjetër, zotërimi i bregdetit arbër u sillte atyre përfitime të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike. Por vendosja e sundimit anzhuin zgjati rreth pesë vjet dhe u desh përdorimi i mjeteve të ndryshme diplomatike, ekonomike dhe në fund ushtarake për ta realizuar. Shtresa e fisnikëve vendës nuk ishte e kënaqur me politikën e anzhuinëve, sidomos me pragmatizmin e tyre ndaj serbëve, të cilët dalin si rreziku kryesor në territoret arbëre. Në ato kushte, fisnikëria arbëre hyri në aleanca të përkohëshme sa me anzhuinët e Napolit, aq dhe me bizantinët me synimin kryesor për të ruajtur zotërimet e veta, por edhe në përpjekjet e saj për emancipim politik, në kushtet e ndryshimeve të mëdha politike që priteshin. Në historiografinë shqiptare dijet rreth sundimit anzhuin në Shqipëri janë ende të mangëta dhe studimet e shumta të kryera viteve të fundit sjellin të dhëna me interes.

Hyrje

Në fillim të shekullit të kaluar, Lajos Thaloczy, Konstandin Jireçek dhe Milan Shuflaj publikuan kolanën monumentale Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, vëllimi i parë i të cilës përmbledh dokumentet e viteve 344-1343, ku siç dihet flitet për sundimin anzhuin në Arbërinë mesjetare dhe jepen të dhëna të rëndësishme për anzhuinët e Durrësit, qendrat administrative të pushtetit anzhuin në territoret shqiptare, zhvillimin ekonomik, si dhe pozicionin që mbajti aristokracia shqiptare në raport me koniukturat e kohës etj. Durrësi dhe rrethinat e brendshme të tij, për shkak të pozicionit të tyre të veçantë që kishin.
Deri në fillim të shekullit IX, Durrësi dhe e gjithë prapatoka e tij kaluan në një fazë vetëqeverisje autonomie. Pas tërheqjes së Bizantit nga zotërimet e tij të Italisë së Jugut (pushtimi norman i Barit, 1071), Shqipëria, nga një hallkë lidhëse midis pjesëve lindore dhe asaj perëndimore të Perandorisë Bizantine, kthehet në një limes, ndër më të ndjeshmit e kësaj Perandorie, duke bartur mbi vete pasoja veçanërisht të rënda që sillte një status i tillë i ri. Në shekullin VII-VIII, treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendës. Deri në fillim të shekullit IX, Durrësi dhe e gjithë prapatoka e tij kaluan në një fazë vetëqeverisje autonomie, por duhet thënë se rënia e Bizantit ndodhi në një fazë kur procesi shtetformues tek arbërit akoma nuk kishte përfunduar plotësisht.
Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë dhe me kryqëzatat në shekullin XI-XII, nxori në plan të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi. Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë arbëre, duke e joshur me privilegje e tituj deri dhe me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën bizantine. Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut, bërthamën e temës së Durrësit e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban). Duke filluar nga gjysma e dytë e shekullin XI në burimet historike përmenden familjet fisnike shqiptare, si Skurra, Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona, që mbanin tituj të lartë bizantinë. Në Temën e Durrësit, vetë qyteti dhe Arbanoni bashkëjetonin paqësisht. Arbanoni e furnizonte Strategun e Durrësit me milicë lokalë të udhëhequr nga krerët e tyre, për të mbrojtur Temën e Durrësit dhe rrugën Egnatia. Ky angazhim nxjerr në pah shumë shpejt dyert më të fuqishme, zotërinjtë lokalë të Arbanonit si: Skurajt, Blinishtët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt, të cilët nga krerë të vendit kaluan në detyra administrative gjithnjë e më të rëndësishme dhe menduan të fitonin tituj bizantinë të sferës së lartë.
Synimet anzhuine në territorin arbër duhet t’i shohim në kontekstin e përgjithshëm të vendosjes së perëndimorëve në brigjet lindore të Adriatikut. Ndërhyrjet e huaja në territoret arbëre të periudhës nga fundi i shekullit XI deri në fundin e shekullit XII qenë vetëm kalimtare. Në të vërtetë, interesi që i nxiste perëndimorët atëherë ishte vetëm rizbulimi i rrugës transballkanike që të çonte në Konstandinopojë. E filluam normanët e Robert Guiscardit në vitin 1081 dhe e vazhduan ushtarët e kryqëzatave të parë dhe të dytë.
Në një periudhë të dytë, në mesin e shekullit XIII, territoret shqiptare u lakmuan nga shtetet perendimore. Me kryqëzatën e katërt një gjeopolitikë e re u vu në zbatim. Latinët kërkuan, që me çdo çmim, të angazhohen në lojërat gjeopolitike rajonale (Rapatout, 2006: 261-269). Anzhuinët ishin vazhdues të këtij projekti dhe Mbretëria e Arbërisë që ata krijuan synonte të garantonte mbështetjen e fisnikëve arbër për realizimin e tij.
Në periudhën e kalimit nga shekulli XII në shekullin XIII pati një ndryshim të madh të rrethanave politike. Forcimi i përpjekjeve për shkëputje nga Bizanti nga njëra anë, dhe rënia e shpejtë e Perandorisë nga ana tjetër, favorizuan krijimin e shteteve të reja në Europën Juglindore. Të tilla qenë Mbretëria Serbe e Rashës, Mbretëria Bullgare, Principata e Arbërit dhe Despotati i Artës (i Epirit).

Marrëdhëniet e anzhuinëve me fisnikërinë e Arbërit në kuadër të Mbretërisë anzhuine të Arbërisë

Si term, Regnum Albaniae e gjejmë në dokumentin e marrëveshjes së 27 majit 1267, në të cilin bëhet fjalë për traktatin e Viterbos që u nënshkrua midis Papës Klementi IV dhe Karlit I Anzhu (Acta Albaniae I: 253). Nëse Karli I Anzhu i trashëgoi tokat shqiptare pas vrasjes së Manfredit në vitin 1266, vetëm nga fillimi i vitit 1272 ai arriti të vendoste autoritetin e tij në të gjithë territorin(Rapatout, 2011:42). Përpjekjet e Karlit, që me mjete diplomatike të shtinte në dorë territoret arbëre, rezultuan të pasuksesshme. Dokumentet anzhuine tregojnë se procesi i marrjes së zotërimeve të Manfredit nuk u realizua vetëm me anë të diplomacisë, pavarësisht se ajo pati ndikimin e vet. Kështjellari gjerman i Vlorës, Jakob Balsiniani nuk pranoi t’ia dorëzonte pushtetin kështjellarit të ri Jean Tiglos, që e kishte caktuar Karli dhe Vlora u muar vetëm në fund të vitit 1271. Kanina, pak kilometra më tej, bëri pak rezistencë dhe preferoi t’i japë besnikëri. Ndryshe u zhvilluan ngjarjet në Durrës, ku përpjekjet diplomatike të të dërguarve të Karlit nuk po e jepnin suksesin e dëshiruar. Karli I u përpoq të tërhiqte me anë premtimesh krerët arbër dhe në vitin 1271 duket se kishte vendosur një dialog me aristokracinë e Arbërit, si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit. Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë arbër, Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri, si të besuar të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh, Papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te krerët arbër(Acta Albaniae I,:77).
Në maj të vitit 1270, ndodhi një incident, që i dha mundësinë Karlit I Anzhu për të ndikuar në fitimin e Durrësit. Një anije që transportonte një të dërguar nga Kështjellari anzhuin i Vlorës, nënshtetas i Mbretërisë së Napolit dhe një ngarkesë verë, u detyrua të ankorohej në Durrës për shkak të motit të keq. “Pasagjerët dhe ekuipazhi u arrestuan, u grabitën dhe u ngacmuan “, – thonë dokumentet nga kancelaria anzhuine. Pushteti napolitan reagoi menjëherë duke arrestuar të gjithë durrësakët që ndodheshin në Mbretërinë e Napolit. Një vit më vonë, urdhri i arrestit u rinovua dhe tregtarët e Durrësit u penguan për të kaluar në Italinë e Jugut. Në ato kushte, Durrësi vendosi të fillonte bisedimet me autoritetet anzhuine dhe me 20 shkurt 1272, qyteti u vu nën mbrojtjen e Karlit I Anzhu.
Më 21 shkurt 1272, Karli I Anzhu deklaroi se “ai dhe pasardhësit e tij u zgjodhën në Mbretërinë dhe Zotërimin e Arbërisë nga “prelatët, kontët, baronët, kalorësit, borgjezët, komunat dhe gjithashtu të gjithë personat privatë të Arbërisë”(Kieseëetter, 2015: 35). Është interesante të theksohet se titulli Rex Albaniae nuk u mbajt kurrë në mënyrë të rregullt nga Charles, por vetëm kur ai vepronte ekskluzivisht si Mbret i Arbërisë(Dourou-Eliopoulu, 1998: 236). Në fakt, anzhuinët ruajtën titullin Zoti i Arbërisë, të cilin Karli II ia dha, bashkë me me tituj të tjerë, djalit të tij Filipit në vitin 1304(Monti, 1931:48).
Në dy diploma të dala nga kancelaria e Karli I Anzhu më 20 e 21 shkurt 1272, Mbreti u premtonte prijësve arbër mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha privilegjeve, normave e dokeve “të mira” të mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e sovranitetit anzhuin nga krerët arbër nuk qe një “dorëzim” pa kushte, por një ujdi e arritur, siç shprehej vetë mbreti Karl, “pa dhunë e shtrëngim”(absque aliqua violentia seu cohactione). Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore të shqiptarëve: Kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë dhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas brenda kuadrit të Regnum Albaniae- “Mbretërisë së Arbrit” (Lala, 2008:26). Lala, 2008:26). Një dekret mbretëror i njohu princat arbër si baronë dhe kontë, duke u dhëne tituj nderi “inter quos barones sabatus Paulus Brana, Sevastus Petrus Leti, sevastus Petrus Messia”dhe pushtet në zotërimet e tyre dhe menjëherë, me ndihmat e mbretit anzhuin filluan përforcimet e kështjellave mbrojtese. Fisnikët arbër u detyruan të kryejnë “betimin dhe homazhin feudal” (ligii homagii iuramentum) (Lala, 2008:26). Lala, 2008:26). Me kalimin nën sundimin anzhuin, zotërimet e feudalëve arbër u bënë të trashëgueshme automatikisht dhe zotërinjtë feudalë ishin të lirë të sundonin në territoret e tyre si të dëshironin.
Më tepër se përfitimi politik, në ofertën anzhuine ndikoi faktori etnik, shqetësimi se pushtimi serbo-ortodoks do të sillte rrezikun e serbizimit të tyre dhe këtë rrezik ata mund ta përballonin vetëm me anë të anzhuinëve katolikë. Për këtë arsye, në përplasjet luftarake midis anzhuinëve dhe bizantinëve, në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit XIII, bujarët vendës, me disa përjashtime, mbajtën anën e anzhuinëve.
Dokumentet anzhuine lënë të kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve abër për kryezotin anzhuin. Në radhë të pare, ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat ushtarake.
Sipas dokumenteve, marrëdhëniet e Karlit me arbërit lidhen me pikat e mëposhtme:

  1. Mbreti u jep ekskluzivitet ambasadorëve dhe zyrtarëve arbër që shkojnë për ta vizituar atë, si dhe mbrojtjen e tij. Karli kishte pritur me kënaqësi delegatët e baronëve dhe kontëve të Arbërisë; emrat e tyre figurojnë në një dokument të vitit 1274: Sevastus Paulus Bracca, Sevastus Petrus Leti, Sevastus Petrus Mesia. Është interesante të theksohet se titulli “Sevastus”, me origjinë bizantine, vazhdoi të mbahej nga fisnikët arbër, pavarësisht ndryshimit të suzerenitetit(Dourou-Eliopoulu, 1998: 237).
  2. Karli u ndan arbërve toka, funksione ose shpërblime për shërbimet e dhëna. Sevastus Paulus Cropa i ishte caktuar një pronë në Arbëri; Abati Nikolao i Arbërisë merrte një të ardhur vjetore prej 12 ons ari. Në vitin 1284, Pietro Greko i Maqedonisë u bë pronar i një shtëpie dhe një vreshti në Foggia të Italisë. Një farë Guillelmo Albanensis merr një kështjellë në Basilicata të Italisë, duke e këmbyer me një tjetër. Nga fundi i mbretërimit të tij, Karli rekrutoi oficerë në Arbëri si: marescalus Albaniae Gjin Skura(Ginito Skuro) dhe capitaneus Avellone Andrea Calcanicium (Dourou-Eliopoulu, 1998: 237).
  3. Mbreti Karli i nuk ngurroi të ndëshkonte tradhtarët, zakonisht me burg dhe mbas burgosjes hynte në marrëdhënie me ta për lirimin ose i shkëmbimin me robër anzhuinë(Dourou-Eliopoulu, 1998: 237). Ai ishte në dijeni të flirteve që fisnikët arbër po bënin me bizantinët, armiq të tij. Prandaj, në vitin 1274, Karli kërcënoi se do t’i burgoste arbërit dhe grekët që po përgatiteshin të rrethonin Durrësin. Duke marrë masa për parandalimin e arratisjes së tyre, ai u kujdes që të mos u mungonin ushqimet. Një dokument tjetër i vitit 1274 bën fjalë për gjashtë të burgosur, të quajtur: Gjon Zallimi (Johannes Zallimi), Gjon Grimani (Johannes Grimani), Mikri Subramani (Minchi Subramanii), Zanus Skura (Zanussi Scura), Dhimitër Skura(Dimitri Scura) dhe Zakaria Skura(Zaccarie Scura). Si të burgosur ata gëzonin kujdesin shtetëror dhe secilit prej tyre përfitonin një ons ari në vit për veshjen dhe tre katranë në ditë për vaktet e ushqimit. Shuma duket mjaft e kënaqshme, po të kemi parasysh se një ushtar paguhej me dy tar në ditë(Dourou-Eliopoulu, 1998: 239).
    Mbreti Karl veproi kundër çdo shenje të kundërshtimit dhe të rebelimit. Në një dokument të vitit 1278, ai urdhëroi oficerët e tij të parandalonin arratisjen e pesë të burgosurve arbër. Në një tjetër dokumenti vitit 1279 saktësohet se arbërit Gjon Muzaka(Johannes Musac), Kasnec Blinishti(Carnesium Blenisti), Guglielm Blinishti( Guglielmo Blenisti), Demitri Focum(ndoshta grek) ishin futur në burgun e Brindisit, të akuzuar për vepra tradhtie. Në vitin 1280, mbreti urdhëroi kapjen e 52 dezertorëve nga ushtria e Durrësit, si dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre. Në vitin 1281, duka arbër Gjin Tanushi(Ginium Tamiscum) dhe greku Maskida (Masuda), që punonin për Palaiologët bizantinë u burgosën në Trani për tradhti(Dourou-Eliopoulu, 1998: 239).
    Në varësi të dinamikës së interesave, Karli bënte faljen e të dënuarëve ose lehtësimin e dënimit. Në vitin 1274, pas lutjes së fisnikëve arbër, Karli pranoi tq lironte Gjon Muzakën, të burgosur në Brindisi, në këmbim të dorëzimit të gruas dhe djemve të tij si pengje, pas deklarimit se” nuk do t’u shërbente më armiqve të tij”. Në një rast tjetër, gjashtë arbër u liruan në këmbim të kalimit në burg të djemve të tyre. Karli kishte urdhëruar lirimin e grekut Sevastus Petrucius, i cili ishte arrestuar pas një sherri me arbërin Andrea Muzaka. Disa dokumente përmendin shkëmbimin e një të burgosuri grek me një anzhuin, apo edhe të Machaldës, gruas së një anzhuini, me gruan e një arbëri. Dokumentet anzhuine japin të dhëna për transferimin e të burgosurve arbër nga Brindisi në Durrës apo lirimin e Gjon Patricit(Johannes Patricio), me origjinë nga Durrësi dhe të Maurus Skurës(Dourou-Eliopoulu, 1998: 239-240).
    Në një dokument të vitit 1278, del se Karli ishte informuar për një arritisje të mundëshme të pesë arbërve, prandaj kishte urdhëruar oficerët e tij ta parandalonin arratisjen e tyre. Dokumentet anzhuine saktësojnë dhe emrat e të burgosurve, kur bëhet fjalë për personalitete të shquara. Në një dokument të vitit 1279 shkruhet se arbërit Gjon Muzaka(Johannes Musac), Kasnec Blinishti(Carnesium Blenisti), Guglielm Blinishti(Guglielmo Blenisti), Demitri Focum (ndoshta grek), qenë arrestuar dhe izoluar në burgun e Brindizit për vepra tradhtie. Vitin tjetër, mbreti anzhuin kishte urdhëruar arrestimin e 52 dezertorëve nga ushtria e Durrësit dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre(Dourou-Eliopoulu, 1998: 239).
    Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleologu ishte vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe po përpiqej t’i bënte për vete e t’i hidhte kundër anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet e garancitë që u dha, e s’ka dyshim se në këtë pikë ai e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti qysh në fillim të bënte për vete fisnikët shqiptarë.

Të dhëna të reja rreth Mbretërisë anzhuine të Arbërisë

Në vitet në vazhdim 1274-1277 mbreti i Siçilisë pësoi një sërë humbjesh nga Perandori bizantin.
Durrësi, në periudhën e rënies së plotë të tij, nuk zhvillonte më tregti me pjesët e brendëshme të vendit, ku ishte pjesa më e madhe e tregtisë në vend. Gjithsesi, mbetet e sigurt se prania e anzhuinëve nuk ishte filantropike: ata kishin nevoja për Arbërinë, sepse ishte një vend furnizimi me kripë, vaj e drithëra, por mbi të gjitha sepse ishte një vend strategjik për politikën ekspansioniste të Karli I(Rapatout, 2006: 261-269).
Ndërmjet viteve 1272 dhe 1368, Durrësi ishte kryeqyteti i Arbërisë anzhuine.Qyteti ishte i fortifikuar dhe i banuar nga italianë, arbër sllavë dhe grekë, ndërsa tregtia detare lulëzoi, veçanërisht ajo e kripës. Në jug të kësaj Arbërie, u ruajt despotati i Epirit, fillimisht nën Engjëjt, të cilët u shuan në vitin 1318, pastaj nën Orsinin, në harmoni të ngushtë me Bizantin. (Rapatout, 2011: 35).
Territori i Mbretërisë anzhuine të Arbërisë kishte një rrafsh të hollë bregdetar, që shkonte deri në tridhjetë kilometra në pjesën e tij të Adriatikut dhe një bregdet shumë i ngushtë në pjesën e detit Jon, ku malet lartësoheshin menjëherë dhe mbulonin rreth 80 përqind të territorit. Edhe Korfuzi, në grykëderdhjen e Adriatikut, ishte anzhuin nga viti 1272 deri në 1386(Rapatout, 2011: 35). Fusha shqiptare shtrihej midis qyteteve Durrës dhe Vlorë, si dhe Durrës-Ulqin, një bregdet moçalore dhe plot mushkonja, gjë që e bën atë kryesisht jomikpritës, megjithatë këtu ndodheshin pjesa më e madhe e kriporeve. Ndërsa malet kishin mundësuar shfrytëzimin e drurit që në antikitet dhe konsideroheshin si burime të rëndësisshme të ardhurash(Rapatout, 2011:37). Nga grykderdhjet e Drinit, Matit dhe Ishmit në Veri eksportohej me shumicë kryesisht lëndë druri. Në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, Spinaricë, Vrug, Vlorë dhe Artë strehoheshin grurë, kripë, peshk, lëkura. Edhe brendësia në mes të Vlorës dhe Kepit të Rodonit nuk ishte më pak e pasur se zona bredetare e vendit. Grurë dhe zarzavate, të prodhuara nga zotërinj lokalë eksportoheshin në Raguzë, (Vaccaro, 2006:55-56) ndërsa lëkurat tregtoheshin në qytete, veçanërisht në Durrës, atëherë i njohur në tregtinë e lëkurës. Mishi dhe produktet e qumështit shiteshin në tregjet lokale. Marrëdhëniet ekonomike anzhuine-arbëre brenda territorit arbër ishin të përqëndruara kryesisht në sigurimin e ushqimeve, parave, kuajve, materialeve të ndërtimit, armëve, pra gjithçka që ishte e nevojshme për jetën e një administrate dhe të një ushtrie pushtuese, pa shumë lidhje me popullsinë vendase(Rapatout, 2011:37)
Dokumentet anzhuine flasin për shkëmbimet ekonomike në Arbëri, tregtarët vendës e të huaj, nga vinin ata etj. Për të gjykuar mbi marrëdhëniet tregtare, mjafton të shohim emrat e tregtarëve dhe prejardhjen e tyre. Dokumentet anzhuine në rend zbritës na japin fillimisht tregtarë nga Napoli dhe pastaj Raguza, Venediku, Ulqini, Tivari dhe Zara(Rapatout, 2011:37).
Përsa u përket njerëzve që dalin në dokumente, gjysma e tyre janë anzhuinë të vetë Karlit I, nëpunës civilë, ushtarë apo hetues. Ata shoqërohen në vend nga artizanë të shumtë prej jugut të Italisë; harkëtarë saraçenë dhe anëtarë të klerit, të cilët nuk ishin të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin anzhuin, por megjithatë gjenden shumë të pranishëm në aktet e Kancelarisë së tij(Rapatout, 2011:37).
Duhet theksuar, më shumë se burimet ekonomike të Mbretërisë së Arbërisë, është gjeografia e saj ajo që e bën rajonin arbër një tokë lakmie. Luginat e tij me orientim veriperëndim – juglindje lejonin kalimin e maleve drejt Lindjes. Rruga e lashtë Egnatia, e cila lidhte Romën me Kostandinopojën, kalonte përmes Arbërisë. Segmenti arbër fillonte nga Durrësi, por mund të niste edhe nga Vlora dhe zbriste në luginën e Shkumbinit e pastaj kalonte përmes Elbasanit (Scampa e lashtë) drejt e në liqenin e Ohrit(Rapatout,2011:37).
Prania e forcave pushtuese ushtarake dhe përsëritja e luftërave nuk favorizonin lindjen e proceseve unitare mes feudalëve arbër, të cilëve u duhet të përballen edhe me revoltat fshatare(Biagini, 2005:12). Por dobësimi i Perandorisë bizantine solli autonomi më të madhe të fisnikëve vendas dhe rajoni i Arbanonit, u bë një principatë me një territor të përfshirë në kufijtë veriorë të vendit. Shtet i Arbërisë iu nënshtrua presionit të armiqve të fuqishëm, me të cilët më parë ishin përballur bizantinët: Venedikut, Serbisë, Perandorisë Bullgare, Despotatit të Epirit, Perandorisë së Nikesë, të cilët me kalimin e kohës ushtruan presion gjithnjë e më të madh mbi territorin arbër(Biagini, 2005:12).
Anzhuinët sollën një numër të madh ushtarësh dhe administratorësh, të cilët u vendosen nën autoritetin e një Kapiteni të përgjithshëm- Vikar i jashtëzakonshëm, funksionet e të cilit janë në fakt të ngjashme me ato të një zëvendës-mbreti. Çdo qendër e Mbretërisë: Durrësi, Vlora, Sopoti dhe Butrinti kishin nga një kapiten, ndonjëherë dhe nga një arkëtar. Anzhuinët u dhanë shqiptarëve postin e një vikari ose kapiteni të arbërve(Capitaneus Albanorum) (Rapatout, 2006:261-269). Udhëheqja e punëve ushtarake iu besuao një Marshalli të Arbërisë, i cili drejtonte trupat napolitane. Financat e Mbretërisë drejtoheshinn nga një arkëtar i Mbretërisë, i cili menaxhonte të ardhurat(Rapatout, 2011:40-41). Në nivel lokal, çdo territory ishte nën autoritetin politik dhe ushtarak të një kështjellari dhe nën administrimin financiar të një punonjësi të thesarit. Nga ana tjetër, duhet theksuar se formimi i Mbretërisë së Arbërisë nuk i cënonte oborret e princërve arbër, të cilat duhet të kenë funksionuar në vijimësinë e tyre.
Pozicioni politik dhe shoqëror i princave arbër, vasalë të anzhuinëve del edhe nga një letër e Papa Gjoni XXII, që mban datën 17 qershor të vitit 1319, e cila u drejtohet atyre, ku sipas traditës mesjetare jepet për sejcilin edhe titulli i fisnikërisë që mbante. Letrat u adresohen Muzakajve: Mentul Muzakës, kontit të Këlcyrës; Ndre Muzakës, “mareshallit të Mbretërisë së Arbërisë” (regni Albaniae marescalco); Theodor Muzakës, protosevastor-it të Mbretërisë së Arbërisë, të cilët i kishin pronat e tyre në jug të Shqipërisë së sotme. Po kështu u adresoheshin edhe princërve të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut: Guljelm Blinishtit – protosevaston; Guljelm Aranitit – protholegaturo; Kalgjon (Calojohanni) Blinishtit, Pal Matrangës, si “dhe baronëve të tjerë të Mbretërisë së Arbërisë” (ceterisque baronibus regni Albaniae) dhe Ladislaus-it, kontit të Mbretërisë së Arbërisë(Lala, 2022:20).
Anzhuinët nuk duket se ishin aq të interesuar për centralizimin e punëve në Mbretërinë e re. Pavarësisht se Durrësi ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Arbërisë, pushteti ishte i decentralizuar në qendrat administrative. Vlora, Kanina, Sopoti etj. kishin pavarësi relative nga njëri-tjetri, por jo nga autoritetet shtetërore të Napolit. Sidoqoftë, prania në Durrës e Vikarit të Përgjithshëm dhe Zyrtarit të Thesarit të Mbretërisë rëndonte shumë mbi aftësinë për veprim të kështjellarëve dhe arkëtarëve të kështjellës. Në Vlorë, përkundrazi, distanca gjeografike dhe e kaluara autonome e afërt ndonjëherë i lejonte kështjellarit të Vlorës dhe arkëtarit të saj që të çlirohen nga prania e Vikarit të Përgjithshëm. Kjo do të thotë se arkëtari i merrte shpesh urdhërat direkt nga Napoli, se kështjellari bisedonte vetë për çështjet e pengjeve ose aleancave strategjike. Ky menaxhim lokal i territorit shoqërohej me inspektime të rregullta të dërguara nga Napoli dhe jo nga Durrësi, për të siguruar besnikëri ndaj interesave mbretërore, veçanërisht në vitet 1276 dhe 1277(Rapatout, 2011:41).
Relievi gjeografik kishte ndikuar në ndarjet administrative të territorit. Vendet që ndodhen në jug të zonës (Himara, Sopoti, Saranda apo Butrinti) kishin varësi tjetër, nën juridiksionin e kapitenit të Korfuzit dhe ishin në zonën natyrore të ndikimit të tij, sepse ishin të izoluara nga Vlora dhe malet e Llogarasë, që arrijnë majën 1830 m e ndanin fushën e Vlorës nga bregdeti Jon(Rapatout, 2011:41).
Duke u nisur nga dokumentet papnore, Shuflaj ka arritur të përcaktojë thelbin e Arbërisë etnike të Mesjetës. Si kufirin jugor ka marrë territoret që posedonte Mentul Muzaka që shkonin deri në Këlcyrë, si kufirin lindor ka marrë territoret e Ohrit dhe të Dibrës, ku shtrinin sundimin e tyre Matrangët dhe si kufirin verior ka marrë territoret e Blinishtëve që zotëronin Mirditën deri në Ulqin dhe Danjë. Do të ishte më e saktë, nëse këto territore do t’i konsideronim si territoret e Mbretërisë së Arbërisë, si formacion politik dhe jo si territoret etnike shqiptare që shtriheshin shumë më gjerë se kaq. Duke qenë një mbretëri me karakter katolik, në këtë formacion politik nuk janë përshirë territoret shqiptare që ishin të ritit bizantino-ortodoks, siç duhet të kenë qenë në këtë kohë Topiasit(Lala, 2022:24).
Me formimin e një mbretërie të Arbërisë, të kërkuar nga mbreti i Siçilisë Karli i Anzhu, Adriatiku lindor u bë edhe një herë objekt i qëllimeve politike kundërshtare
Nga dokumentet anzhuine del se banorët e Arbërisë quhen Albanenses ose homines Albaniae, ndërsa fisnikët, kontët dhe baronët përbënin aristokracinë vendase, krahas prelatëve që formonin organin kishtar latin të Mbretërisë së re të Arbërisë. Vendbanimet qytetare kishin popullsi të përzier. Shpesh hasim Durachii hominess, ndoshta tregtarë të kombësive të ndryshme të vendosur në Durrës që në shekullin e 12-të dhe që formonin një komunitet, duke përfituar nga disa privilegje, por edhe dhe Durachi cives(qytetarët durrsakë) (Dourou-Eliopoulu, 1998:235). Anzhuinët u dhanë arbërve një vikar ose kapiten të arbërve (capitaneus Albanorum).
Mbretëria e Arbërisë zgjati deri në vitin 1286, kur bizantinët, me Andronikun II Paleologun, ripushtuan për pak kohë territoret e saj. Në vitin 1296 radha ishte e Serbisë, e cila arriti edhe në Durrës. Qyteti u kthye në duart e anzhuinëve në vitin 1304. Më pas, deri në vitin 1331, bregu i poshtëm u nda midis Serbisë (në veri), Mbretërisë anzhuine të Arbërisë dhe Bizantit. Edhe Car Dushani iu imponua Arbërisë në vitet 1331-55(Ivetić, 2022:36).
Mbretëria e Arbërisë la gjurmë në historinë e Shqipërisë, sepse bëri të mundur që për herë të parë vendi të njihej si subjekt gjeopolitik dhe subjekt i së drejtës mesjetare, duke u distancuar politikisht nga armiqtë e tij të përhershëm, Mbretëria serbe e Rashës, Shteti Bullgar, Despotati i Epirit dhe Perandoria e Trapezundes. Ky mbretërim qe thelbësor për lindjen dhe ndergjegjësimin e fisnikërisë feudale arbëre, e cila me kohë arriti pjekurinë dhe zëvendësoi anzhuinët në të gjithë zotërimet e tyre në bregun arbër, në mesin e shekullit XIV dhe, më vonë, do do t’i qëndronte pushtimit otoman.

Latest articles

Related articles