Deputetja e PD në Krujë denoncon ndotjen nga guroret e fabrikat e çimentos, Merita Bakiu: Po rrezikohet shëndeti i qytetarëve

Te nderuar kolegë,

Më në fund u ritakuam në këtë sallë.
Kjo seancë për mua si deputete e Krujës ka një rëndësi prioritare; në këtë seancë unë përmbush misionin tim, atë të zëdhënësisë së shqetësimeve të atyre që më kanë besuar votën.
Gati katër muaj kemi që me pretekste nga më abdurdet nuk mblidhemi për të folur me zërin e tyre.
E di që as sot nuk jemi mbledhur për këtë qëllim, por për retorikat boshe falenderuese për votën që gjjthsecili në këtë sallë e di sesi u mor.
Zoti Rama ka ndërmarrë një tur, po ende nuk ështe ngjitur në Krujë.
Ai e di arsyen.
Sot, ndërsa po flasim për probleme të zonës, banorë të fshatit të Borizanës janë në protestë për problemet qe i kanë shkaktuar guroret në këtë zonë.
Kanë 4 muaj që familjarët kanë bërë denoncime pranë organeve të rendit dhe nuk është marrë asnjë masë.
Problemi i guroreve është një problem shqetësues prej vitesh për KRUJEN.

Nga një analizë e Revistës Monitor, në vitin 2020 Kruja mbante rekordin për dhënien e lejeve minerave, veçanërisht ato që lidhen me lejet për grupin e mineraleve ndërtimore, me një total prej 23 lejesh, nga të cilat 9 në Borizanë (të cilat janë aktive edhe në vitin 2023), duke rritur ndjeshëm jo vetëm ndotjen e mjedisit por duke rrezikuar rëndë edhe jetën dhe shëndetin e banorëve për shkak të distancës së afërt me qendrat e banuara dhe dhënies së një numuri shumë të lartë lejesh në këtë zonë.

Për shkak të mungesës së transparencës, personalisht jam drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) për informacion të detajuar lidhur me mënyrën e mbikqyrjes dhe kontrollit të këtyre institucioneve, përgjegjëse në sektorin minerar si dhe masat konkrete të marra nga këto institucione për parandalimin e ndotjes së ajërit, tokës dhe ujit dhe mbi të gjitha masat konkrete të marra për parandalimin dhe ndalimin e mëtejëshëm të dëmtimit të jetës dhe shëndetit të qytetarëve të Krujës.

Ndotja e ajërit dhe tokës në Krujë është në nivele alarmante, çlirimi i lëndëve kimike nga fabrika e çimentos siç janë squfuri, karboni dhe dioksinat, kanë sjellë jo vetëm probleme me ndotjen e ajërit dhe tokës, por edhe probleme të shumta shëndetësore të banorëve të këtyre zonave. Pa llogaritur këtu dëmet në bujqësi dhe blektori. Sot ka me dhjetëra ankesa nga banorët e Krujës si pasojë e ndotjeve të fabikave dhe guroreve në këto zona, për të cilat nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete në parandalimin apo ndalimin e mëtejëshmë të ndotjes dhe vënies në rrezik serioz të jetës dhe shëndetit të këtyre banorëve.

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sapo mori drejtimin e këtij institucioni në mandatin e parë, pati premtuar se ndërtimi i një landfilli do të ishte primar dhe që do të kishte një bashkëpunim me fabrikat e çimentos për rehabilitimin e zonave të dëmtuara në Krastë të Krujës. Ndërkohë, ende sot, puna e kësaj bashkie ka mbetur vetëm në fazën e konsultimeve për gjetjen e një zgjidhje për të parandaluar ndotjen dhe zonat e demtuara

Në vitin 2019, pas një kontrolli rezultoi se subjektet që ushtrojnë aktivitet minerar në zonën e shpallur peisazh i mbrojtur natyror Krastë-Verjon, nuk kanë zbatuar rigorozisht projektin teknik të hapjes dhe shfrytëzimit të objekteve minerare duke krijuar probleme të sigurisë teknike dhe të mbrojtjes së mjedisit, për këtë arsye MIE ju revokoi 12 subjekteve lejen minerare. Pavarësisht revokimit të këtyre lejeve për të cilat nuk ka asnjë informacion dhe transparencë mbi vijueshmërinë e tyre (sepse mbyllen për efekte mediatike dhe propagandistike dhe për një përiudhë kohore rihapen sërisht) Kruja mbetet bashkia me numrin më të lartë të lejeve minerare dhe ndotjen më të lartë si pasoje e tyre. Në Krujë nga dhënia e lejeve pa kriter kemi tjetërsim të habitatit natyror. Ështe e përcaktuar qartë që pas shfrytëzimit disavjeçar këto kompani duhet të rehabilitojnë zonën e bashkë me të të kenë dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Këtë e tregojnë pamjet

Por ky nuk është shqetësim i qeverisë sepse Kruja nuk ka qenë kurrë në vëmendjen e saj sepse politikat 10-vjeçare të kësaj qeverie arriti t’i largojë çdo institucion ta shpopullojë të mos marrë masa për ruajtjen e natyrës.
Fabrikat e çimentos, guroret janë industri të cilat kanë ndikim të madh negativ në mjedis duke qenë një nga industritë më ndotëse në vend.
Kthejani ndonjë lekë ketij qyteti nga gjithë ky shfrytëzim i pasurive natyrore që dhe ato të punojnë me të vetmen gjë që i ka mbetur turizmin..
Mjedisin ia keni shkatërruar me grykësinë tuaj po i gërryeni mushkëritë e jetën banorëve të Krujës.

Zoti Kryeministër,
Kruja është vetëm 22km largë Tiranës dhe mbetet moment i lavdisë kombëtare.
Krutanët dinë të mbrohen e të sulmojnë.
Historia duhet ta ketë mësuar këtë.

Latest articles

Related articles