Probleme me pajisjet e identifikimit elektronik, pezullohet procesi edhe në Surrel ku voton Rama

Në shumë qendra në vend, ka nisur me shumë probleme procesi i identifikimit elektronik të zgjedhësve. Po kështu është pezulluar procesi edhe në Surrel, ku voton kryeministri Rama.

Thuhet se kryeministri Rama do të shkojë për të hedhur votën e tij në orën 10:00. Në këtë qendër janë provuar tre pajisje identifikimi, ndërsa është sjellë e katërta. Nga gjashtë qendrat e votimit në shkollën “Dora d’Istria” në Tiranë, në tre prej tyre nuk është hapur ende procesi i votimit.

Mësohet se në njërën prej tyre nuk punon pajisja e identifikimit elektronik, në një tjetër nuk punon kamera dhe nuk është paraqitur operatori i pajisjes elektronike.

Probleme me votimin elektronik janë shfaqur edhe në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet. Pritet që pas vonesave të zëvendësohet pajisja elektronike, ose në të kundërt do të ketë votim tradicional me fletë votimi.

Vonesat kanë shkaktuar radhë të qytetarëve që presin për të votuar. Ata thonë se po presin prej të paktën një orë.

“Nuk është hapur qendra e votimit. Kam dhënë qendrën e votimit në momentin që kam ardhur. Po presim në radhë”, shprehen qytetarët.

Në orët e para të mëngjesit në këtë qendër votimi ka qenë i pranishëm edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili ka mbikëqyrur nga afër procesin. Sot shqiptarët votojnë për kryebashiakët e rinj.

Latest articles

Related articles