“Kam një plan, paga mesatare do të bëhet 900 euro” – Rama hap thesin e premtimeve elektorale

Kreu i qeverisë Edi Rama ka bërë me dije se në harkun kohor të dy viteve synohet rritja e pagës mesatare në Shqipëri, në nivelin prej 900 eurosh, nga 600 euro që është aktualisht.

Në një deklaratë për mediat, kryeministri tha si fillim paga mesatare do të rritet për një pjesë të punonjësve, ndërsa shumë shpejt do të publikohet dhe plani i plotë i tij, të cilin e quajti si shumë ambicjoz, në lidhje me pagat.

“Në harkun e dy viteve synohet arritja e nivelit te rajonit, paga mesatare në nivelin e 900 eurove. Jemi në kushtet e një mundësie të re që do e shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të familjeve. Pas rritjes së pagës minimale do të rritet dhe paga mesatare. Do të kemi një rritje tani për një pjesë të punonjësve. Do të publikojmë dhe planin e plotë në ditët në vijim”- tha Rama.

Rama tha gjihsahtu se do të jepet edhe bonusi prej 5 mijë lekësh të reja për pensionistët.

“Ne do të bëjmë tani reformën më të rëndësishme për njerëzit, e të gjithë strukturës së pagave. Pagat do të rriten për të gjithë në sektorin publik, por kjo reformë do të impaktojë edhe sektorin privat. Një administratë që ka nevojë për burime të kualifikuara dhe konkurruese do ta ketë këtë mundësi. Dhe sektori privat do të duhet të rrisë pagat. Shteti do të bëhet konkurrent me sektorin privat”, u shpreh kryeministri.

Megjithëse, rritja reale e pagave zakonisht arrihet nga rritja reale e ekonomisë. Rritje reale do të thotë më shumë prodhim dhe nevojë për më shumë fuqi punëtore. Tregu nga nevoja për të shtuara prodhimin në njërën anë, dhe nga mungesa e fuqisë punëtore në anën tjetër, afron paga më të larta. Pas 10 viteve qeverisjeje, se cili është plani ambicjoz për rritjen e ekonomisë, kryesisht në sektorët prodhues, kjo mbetet e paqartë.

Latest articles

Related articles