Politologu Zekthi: PD-ja është gjallë, mund të jetë shpresa për një opozitë si alternativë ndaj qeverisë Rama

Politologu, Fitim Zekthi në një shpjegim të dhënë për Albanian Post ravijëzoi se “vendimi për regjistrimin e PD-së në zgjedhje në kuptimin e plotë të fjalës do të bëjë të mundur që në këto zgjedhje të ketë një forcë politike që qartësisht ruan linjat e orientimit të saj politik të themeluara në vitin 1991”.

Në zgjedhje do të jetë ajo forcë që do t’iu mundësojë demokratëve të mos shkojnë në forca politike të tjera apo të mos degdisen qëllimisht në forca politike të majta apo problematike”.

Sipas Zekthit, gara do të jetë shumë e vështirë. Ai shtoi se pavarësisht që Alibeaj është kryetar i komanduar dhe jo i zgjedhur nga anëtarësia ai “përfaqëson shumë mirë të gjithë vokacionin e PD-së, vokacion që është tradhëtuar në mënyrë të pamendueshme nga shumëkush dhe sidomos nga lëvizja e Foltores”.

Kujtojmë se PD e ankimoi çështjen në KAS, për shkak se drejtuesi i KQZ-së, Ilirjan Celibashi nuk pranoi regjistrimin e kësaj force politike, me supozimin se nuk kishin plotësuar dokumentacionin.

Lidhur me këtë çështje, Zekthi përsiati se “vendimi i Celibashit ishte tërësisht në shërbim të drejtpërdrejt të Berishës dhe tërthorazi të kryeministrit Edi Rama i cili ka interes të pandalshëm që opozita të jetë e përçarë”.

Zgjedhjet janë të njerëzve, janë e drejtë fondamentale e tyre për të zgjedhur qeverisjen e cila është një instrument i njerëzve. Nuk ka, nuk ekziston administratë zgjedhore, zyrtar zgjedhor që mund të pengojë këtë të drejtë fondamentale me arsyetime qesharake se duhet firma në një deklarim përbetimi e ish kryetarit të larguar”.

Vendimi i KAS-it, sipas politologut “thjesht riktheu legjitimitetin dhe padyshim që i shërben PD-së dhe paraqitjes së saj në garë”.

Gjërat që janë kundër logjikës dhe kundër kohës nuk fitojnë kurrë. Kjo po ndodh dhe do të ndodhë edhe me lëvizjen e Foltores. PD-ja është ende aty, është gjallë, mund të jetë shpresa për një opozitë si alternativë ndaj qeverisë Rama”.

Ndërsa, për sa i përket thirrjes së Alibeajt që kandidatët e dalë nga primaret, të bashkohen nën siglën e PD-së.

Zekthi e cilëson si një thirrje të drejtë, pasi sipas tij “kështu duhet të jetë politika e mirë”.

Kujtojmë se Berisha së bashku me Ilir Metën dhe dy aleatë të tjerë kanë depozituar në KQZ koalicionin nën siglën “Bashkë Fitojmë”, i cili së bashku do të shohë të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Pjesë e tija janë Partia e Lirisë, Partia Demokristiane, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kjo e fundit, është edhe arsyeja se pse si i tillë, koalicioni nuk ka gjasë të marrë miratimin e komisionerit për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Latest articles

Related articles