PD, Pampuri: Jeta e një gruaje nuk mbrohet me fjalë, as me populizëm, as me pasthirrma e as me receta


Nga Orjola Pampuri

Jeta e një gruaje nuk mbrohet me fjalë, as me populizëm, as me pasthirrma e as me receta.
Pandëshkueshmëria, është ajo që po dënon këtë shoqëri të bjerë gjithnjë e më shumë në kurthin e ngjarjeve të tilla, ndërtimi i sistemeve të forta të referimit ku secila hallkë e tyre të drejtohet nga profesionistë, jo diletantë.
Forcimi i ligjit përballë sjelljeve e ngjarjeve të tilla, si dhe cka eshte me e rendesishme zbatimi me rigorozitet i tij, gjë që s’ka funksionuar deri sot, e ndaj jemi këtu.
Jeta e një gruaje është e shenjtë po ashtu edhe e një burri, askush s’ka e s’mund të ketë fuqinë të dhunojë apo të marrë jetën e askujt.
Më shumë se morali e keqardhja në rrjete sociale, vlen të reflektojmë secili, që në një shoqëri askush nuk ka të drejtë, të linçojë, të anatemojë, të shpifë, aq më tepër kundrejt një gruaje, një vajze, një nëne.
Pikërisht këtu fillon, në një shoqëri ku shajmë e shpifim për njëri tjetrin, e nga ana tjetër dhunojmë, e u marrim jetën grave e vajzave, lipset nevojë ulëritëse për të ndryshuar, për të reaguar kundrejt fenomeneve të tilla, të cilat po e thellojnë gjithnjë e më shumë plagën e kësaj shoqërie, duke nxitur kaq shumë stres e ankth, duke mos lejuar njëri tjetrin të jetojmë e komunikojmë qetësisht.
Forcimi i ligjit, zbatimi me rigorozitet i tij, ndërtimi i një sistemi të fortë drejtësie, si dhe forcimi i sistemit të referimit, gjithashtu referimi i cdo rasti, përfshi këtu dhunën, shpifjen, kundrejt secilit, mendoj që do vendosë gjërat aty ku duhet.
Kush cënon jetën e dinjitetin e dikujt, kush kërcënon jetën dhe lirinë e tjetrit, e kush merr jetën e tjetrit, meriton gjykimin dhe dënimin maksimal.
Mjaft më, me glorifikimin e figurës së më të dhunshmit, më banalit. Po deformojmë personalitetin e brezave të ardhshëm, po dëmtojmë një shoqëri të tërë.

Latest articles

Related articles