Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Komentet Tabaku i bëri gjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë” në News 24, ku tha se ekzistojnë mekanizma për të bërë të mundur daljen në zgjedhje me kandidatë të përbashkët.
Ajo shtoi se opozita duhet të ngrihet përtej interesave personale dhe sipas saj, pavarësisht shumë gjërave që mund ta ndajnë opozitën, i bashkon diçka më e madhe, opozitarizmi.
“Ka shumë gjëra që na ndajnë, por ajo që duhet të na bashkojë është opozitarizmi. Unë kam qenë e mendimit dhe jam e mendimit se PD duhet të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, sepse ne ishim bashkë në vitin 2021 dhe nuk ja dolëm dot për shumë arsye. Duhet të ofrojmë kandidatët e përbashkët për zgjedhjet lokale.
Që nga shtatori edhe ktej unë e kam përsëritur që duhet të gjejmë një formulë për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhje. Opozita duhet të ngrihet përtej intreresit personal. Ekzistojnë mekanizma për të dalë me kandidatë të përbashkët. Jam e sigurt se zgjidhja duhet të jetë politike për të ofruar për shqiptarët atë që nuk e kishin në vitin 2019.
Nuk ka asnjë prapaskenë në drekën e shtruar nga Mziu. Fakti që mendoj ndryshe më ka dhënë të drejtë në mënyrën sesi duhet të bëhet opozitë. Alternativa jonë i duhet drejtuar gjithë shqiptarëve. PD duhet të ketë persona që nuk janë të atakueshëm. Por pse mendon ndryshe, kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëjmë opozitë. Unë e kam ndjerë që të mbroj gjithë kolegët e opozitës. Radhën e kaluar garda preku deputetet zonja. Por kam menduar se Parlamenti të jetë një arenë debati. Duhet ta përdorim Parlamentin për të folur, për të ngritur zërin tonë. Parlamenti veçse të ofron një mundësi për debat, të ofron edhe mundësinë për t’i kërkuar llogari qeverisë.
Përjashtimi përdoret si një përjashtim nga rregulli. Në Parlament kanë ndodhur disa situate shumë të rënda, ku deputetët e PS-së kanë sulmuar fizikisht deputetët e PD-së dhe nuk është përjashtuar nejri. Tani po përjashtohen 24 deputetë sepse po kërkohet ngritja e një Komisioni Hetimor. Opozita ka të drejtë të ngrejë një Komision Hetimor. Por përjashtimin kaq thjeshtë që voton kryetarja e Kuvendit për heqjen e fjalës dhe për përjashtimet është e tepërt. Sjellja e zonjës Nikolla ishte e papranueshme. Ishte një akt shumë i rëndë që ajo votoi për t’i hequr fjalën deputetëve. Ato e kanë kuptuar se heqja e të drejtës së fjalës të kalon në një situatë tjetër që nuk ndodh as në Rusi.
Të vish e zgjedhur në pushtet ti duhet të mobilizosh më shumë nga pjesa tjetër e qytetarëve, veç militantëve. Ne përsërisim të njëjtat gabime.
Ne kemi bërë në 2019 dhjetë protesta që kanë qenë më të mëdhatë që ka organizuar opozita. Dhe çfarë ndodhi të nesërmen? Asgjë. Kryeministri ishte përsëri atje. Sepse protestat shërbejnë si një mjet revolte, por nuk është mjet për të ardhur në pushtet. Unë do kisha preferuar që në datën 3 mars të mos ishte thirrur një protestë në këtë datë dhe të gjitha energjitë të shkonin për bashkimin. Unë dua të përpiqem ta konsideroj një vendim rutinë dhe të punoj për bashkimin e PD-së”, u shpreh Tabaku.