Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, ka dalë kundër propozimit të bërë dje nga PS-ja për Reformën Territoriale, sipas të cilit bashkia që ai drejton do t’i bashkohet Lushnjës.
Gjatë një proteste të zhvilluar në Divjakë, Gorrea tha se lajmi për shkrirjen e bashkisë i kishte rënë si “bombë”.
Më tej, kryebashkiaku socialist tha se ndihet i tradhtuar nga partia e tij dhe se nuk është pyetur, por as nuk ka pasur dijeni për vendimin e marrë nga PS-ja.
Gorrea tha se ka disa arsye pse bashkia që ai drejton nuk duhet të shkrihet, duke theksuar se ajo ka 56 mijë banorë dhe se, sipas censusit të dy viteve më parë, në Divjakë aktualisht banojnë rreth 25 mijë persona. Po ashtu, ai hodhi akuza, duke deklaruar se “kjo nuk mund të quhet reformë”.



