BIRN; Gjykata e Posaçme kalon për gjykim aferën e inceneratorit të Elbasanit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 21 shkurt 2023 të pranojë kërkesën e prokurorisë respektive për kalimin në gjykim të dosjes për inceneratorin e Elbasanit, për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka ngritur akuzë ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllaku dhe pesë zyrtarëve të tjerë, si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja. Po ashtu, nën akuzë penale janë edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Vendimi për kalimin për gjykim u mor nga gjyqtarja Rudina Palloj. Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, veç kërkesës së SPAK, për gjykim janë dërguar edhe kërkesat e të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Janë gjithsej 101 fashikuj, që së bashku me provat materiale që do të shqyrtohen gjatë gjykimit në themel të kësaj afere të dyshuar korruptive.

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Biznesmenët Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë nën akuzë për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Mërtiri përshkruhet nga prokuroria si “pronari faktit i shoqërisë“Albtek Energy””, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e shtetases Stela Gugallja.

Të gjithë zyrtarët janë aktualisht në burg ose në masa sigurie të tjera, ndërsa administratorët e kompanive të inceneratorëve janë shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit.

SPAK është përballur me pikëpyetje të shumta për mungesën e veprimeve prej saj për shumë dokumente të bëra publike, përfshirë incineratorin e Tiranës dhe zyrtarë të tjerë që duket se kanë përfituar nga grupi i incineratorëve. Pak kohë më parë, prokuroria bëri të ditur se “hetimet vijojnë” për ato që i cilësoi “rrethana dhe fakte” për shkelje të tjera ligjore.

Latest articles

Related articles