Tre burra sudanezë janë dënuar me prerje dore për vjedhje. Ky është dënimi i parë i këtij lloji në pothuajse dhjetë vitet e fundit që jepet nga një gjykatë e këtij shteti afrikan.
Tre personat e dënuar janë të rinj në të njëzetat dhe janë shpallur fajtorë për vjedhje të cilindrave të gazit në Omdurman, qyteti më i madh i Sudanit, i cili shtrihet matanë Lumit Nil, afër kryeqytetit Khartoum. Vendimi u mor para dy javëve, por ka dalë në dritë tani.
Ky rast do të brengosë shumë njerëz që vendi po rrëshqet drejt ekstremizmit shtetëror, 15 muaj pas puçit ushtarak, i cili e destabilizoi vendin dhe e ndërpreu tranzicionin e Sudanit drejt demokracisë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Përpos prerjes së duarve, tre burrat janë dënuar me nga tri vite burgim për sjellje të keqe dhe janë ndëshkuar me gjobë prej dy milionë funtesh sudaneze (rreth 3 mijë funte britanike) si dëmshpërblim për vjedhjen. Këta persona janë dërguar në burgun “Koper” në veri të kryeqytetit, ku dënimi do të zbatohet në një datë të pasaktësuar.
Në këtë burg tash për tash ndodhet ish-presidenti Omar al-Bashir, i cili ishte rrëzuar në vitin 2019 pas një kryengritjeje popullore. Avokati i tre të dënuarve, Samir Makeen, tha: “Fatkeqësisht, pavarësisht ndryshimit politik në vend, asgjë nuk ka ndryshuar sa u përket të drejtave të njerëzve, ishte një ndryshim sipërfaqësor.”
Në një deklaratë, Qendra Afrikane për Studimin e Drejtësisë dhe Paqes, organizatë e të drejtave të njeriut që vepron nga Uganda, i akuzoi autoritetet sudaneze për gjykim jo të drejtë të të akuzuarve.
Kjo organizatë shtoi se gjykimi është bërë “pa përfaqësim ligjor, me dështim të gjykatës për t’ua shpjeguar të akuzuarve seriozitetin dhe ndëshkimin e shkeljeve dhe me mbështetjen e gjykatës në rrëfime si dëshmi e vetme për t’i dënuar të akuzuarit”.
Në gushtin e vitit 2021, Sudani e nënshkroi konventën e Kombeve të Bashkuara për ndaljen e torturimit dhe ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese.
Ky veprim do të duhej të çonte në ridraftimin e shumë ligjeve në kodin penal për t’i vënë në përputhje me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por “kjo nuk ndodhi kurrë, sepse nuk ka vullnet të vërtetë për ta bërë këtë nga njerëzit që e mbajnë pushtetin. Për këtë arsye, ne vazhdojmë që të shohim raste të tilla kohë pas kohe”- tha avokati i të dënuarve.
Sudani qeveriset me ligje islamike që nga shtatori i vitit 1983. Këto ligje ishin ngrirë gjatë pushtetit të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Sadiq al-Mahdi-t, por ishin kthyer nga Bashir-i, kur ai kishte ardhur në pushtet përmes një puçi të mbështetur nga islamikët më 1989.