Reshjet e dendura të shiut të cilat kanë vijuar gjatë gjithë natës, kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës. Kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe uji ka dalë në sipërfaqe në rrugë dhe lagje.
Situata më problematike është në lagjen “Besëlidhja”, ku përmbytja e rrugëve ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
1000 hektarë tokë janë përmbytur në Njësinë Administrative Ana e Malit në Shkodër, me rritje prej 600 Ha nga dita e djeshme. Në njësinë administrative Dajç kanë mbetur pa energji fshatrat Mushan, Shirq, Suka Dajç. Probleme me energjinë raportohen dhe në pjesën më të madhe të Njësisë Administrative Velipojë.
Pa energji elektrike ka mbetur dhe fshati Obot. Ndërsa rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Kërkohet një mjet ushtrie i kalueshmërisë së lartë në rrugën e Obotit, së bashku me katër forca ushtarake.
Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.20 m nuk ka ndryshim me orën 19.00 të datës 18.01.2023 ( kuota max 7.50 m ). Niveli i Liqenit ( hidrometri ura e Bunës) shënon 7.85 m me njeë rritje prej 23 cm me orën 19.00 të dates 18.01.2023 ( kuota max 8.70 m ).
Ndërkohë, grupet e EC të Bashkisë Shkodër janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.