Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kalojnë për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian

spot_img
Advertisements

Pavarësisht se integrimi ekonomik dhe fuqia blerëse e familjeve shqiptare mbeten ndër më të ulëtat në rajon, çmimet e produkteve ushqimore në vend kanë arritur një nivel rekord, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të fundit për vitin 2025, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri kapte vlerën 103% të mesatares së BE-së, ndërsa Produkti Brendshëm Bruto për frymë renditej vetëm në 43% të kësaj mesatareje.

Zhvillimi historik i këtij treguesi tregon një rritje të shpejtë dhe të pabarabartë. Nga viti 2016, kur çmimet e ushqimeve përbënin 66% të mesatares europiane, indeksi është rritur me 36 pikë përqindjeje brenda nëntë vitesh. Ky ritëm shtrenjtimi rezulton tri herë më i shpejtë se rritja e konsumit dhe e të ardhurave reale për frymë. Ndërkohë, përmirësimi i lehtë i treguesve ekonomikë për frymë ndikohet pjesërisht nga rishikimi i shifrave të popullsisë pas Censit të vitit 2023, duke reflektuar një ndryshim statistikorit më shumë se sa një rritje direkte të fuqisë blerëse.

Shqipëria mbetet një përjashtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si i vetmi vend ku ushqimet kushtojnë më shumë se në BE, ndërsa shtetet fqinje si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ruajnë nivele dukshëm më të ulëta çmimesh. Kjo ecuri vijon të thellohet edhe gjatë vitit 2026, ku rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve në tregun vendas ka tejkaluar me disa herë mesataren e vendeve të bllokut europian, duke zbehur ndikimin e rritjes nominale të të ardhurave për frymë.

spot_img

Latest articles

Related articles