Policia britanike dhe SPAK bashkojnë forcat kundër bandave kriminale, ngrihet Ekipi i Përbashkët i Hetimeve

Shqipëria dhe Mbretria e Bashkuar kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar. Dy vendet kanë ngritur një Ekip të Përbashkët Hetimor, ku Policia e South Yorkshire-it së bashku me SPAK do të bashkëpunojnë për të luftuar bandat e organizuara kriminale shqiptare që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ekipi i Përbashkët Hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë së Yorkshire-it të Jugut dhe BKH-ja e SPAK synojnë krimin e organizuar, duke krijuar një partneritet i pari i këtoj lloji mes Britanisë dhe Shqipërisë.

Partneriteti tashmë ka korrur sukseset e para, ku sollën para drejtësisë dy kriminelë që mbajtën peng dy shqiptarë në Sheffield.

39-vjeçari lituanez Valdemaras Kasinskas dhe 27-vjeçari shqiptar Andi Alushi u burgosën në Gjykatën e Sheffield Crown javën e kaluar pasi rrëmbyen dhe mbajtën peng dy shqiptarë.

“Mbështetja e Eurojust-it ishte vërtet e paçmueshme për hetimin tonë ne ishim në gjendje të udhëtonim në Lituani dhe Shqipëri për të kryer hetime thelbësore. Me koordinimin e tyre, ne mundëm të krijonim Ekipin e Përbashkët Hetimor të parë në Mbretërinë e Bashkuar me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit të Shqipërisë, SPAK. Duke punuar me Agjencinë Kombëtare të Krimit, Ambasadën Shqiptare, SPAK dhe Komunitetin e Forcave të Jashtme të Ligjit (FLEC), ne mundëm të flisnim edhe me familjet e viktimave dhe të kuptonim ndikimin që krimet kishin pasur në jetën e tyre”, tha kryeinspektori Mark Oughton, pjesë e Ekipit të Përbashkët.

Rasti i bashkëpunimit për arrestimin e shqiptarit Andi Alushi dhe lituanezit Valdemaras Kasinskas, solli edhe reagimin e SPAK, ku gjatë njoftimit për sqarimin e ngjarjes kriminale ku u mbajtën peng dy shqiptarë, u konfirmua edhe bashkëpunimi me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar për luftën ndaj krimit të organizuar.

Sipas mediave angleze ky bashkëpunim vjen në një kohë kur bandat shqiptare kontrollojnë tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar duke qarkulluar 5 miliardë paund drogë.

Latest articles

Related articles