Gazetari dhe analisti Lavdrim Lita, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, komentoi përplasjet brenda Partisë Socialiste, deklaratat e fundit të Erion Veliajt nga burgu dhe qëndrimet e Elisa Spiropalit, duke theksuar se konfliktet mes grupimeve në PS kanë qenë të pranishme prej kohësh, por tashmë po dalin hapur
Lita komentoi edhe deklaratat e Elisa Spiropalit, duke thënë se shqetësimet e saj për deformimin e garës së brendshme në PS, promovimin e modeleve të gabuara të qeverisjes dhe arrogancën e pushtetit janë çështje me rëndësi. Megjithatë, ai theksoi se motivet që e kanë shtyrë Spiropalin të artikulojë këto qëndrime nuk mund t’i përcaktojë, ndërsa vlerësoi se ajo po i drejtohet elektoratit socialist, duke u paraqitur si një zë që ngre shqetësimet e tyre për qeverisjen.
Lavdrim Lita:
“Ka një diskriminim shëndetësor ndaj zotit Veliaj, i cili nëse ka nevojë për ndërhyrje në këmbën e thyer duhet të operohet dhe të marrë mjekim si të gjithë të burgosurit. Duhet mjekuar sepse është kërkesë normale.
Sa i përket ironisë që Veliaj kërkon zgjidhje te zonja Balluku, ai do të thotë se Rama i ka duart e lidhura dhe nuk flet dot. Kjo tregon për deformimin politik që ka ndodhur brenda PS-së dhe të gjithë tashmë po flasin dhe po nxjerrin çfarë kanë pasur në bark dhe në mendje prej vitesh, ku kanë urryer njëri-tjetrin dhe kjo tani po lulëzon.
Mendoj se gara e klaneve brenda PS-së ka qenë shumë e ethshme dhe në prapaskenë kanë luftuar për pozita të forta brenda ombrellës së PS-së, por këto janë të përqendruara nga duart e kryeministrit dhe ai ka ndarë copat. Disa janë ndjerë të pezmatuar që nuk kanë pasur akses.
Spiropali ka pasur pozita si kryetare Kuvendi dhe ministre e Jashtme, por edhe ajo ka pakënaqësitë e saj dhe Rama tashmë e ka të vështirë t’u mbyllë gojën me një asamble të PS-së. Janë të lirë të flasin ato që mendojnë për njëri-tjetrin. Socialistët thonë Balluku, por ndoshta nuk kanë guximin e mjaftueshëm të thonë Edi Rama. Në fakt, është Rama që qeveris deputetët dhe qeverinë. Çfarë ka dashur Edi Rama me reformat janë bërë. E kanë pasur mundësinë të shpreheshin kundër gjatë votimeve për këto reforma në Parlament, por ulën kokën dhe votuan, si Spiropali, ashtu edhe Erion Braçe dhe të gjithë në PS.
“Elisa Spiropali mendoj se gjërat që tha janë të rëndësishme. Fakti që brenda PS-së është deformuar gara e brendshme, janë promovuar njerëz apo modele të gabuara qeverisjeje, siç tha ajo për zonjën Balluku. Gjërat që ajo thotë qëndrojnë, por motivet pse ajo i thotë nuk di t’i them. Mund të kuptoj me intuitë se Spiropali po i drejtohet elektoratit të PS-së, duke u thënë se unë jam një si ju, që po ngre shqetësimet që ju keni për qeverisjen, për arrogancën e pushtetit etj. Ajo po i thotë gjërat në mënyrën e saj



