16 milionë euro pasuri të paluajtshme të cilat dyshohet se janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara janë konfiskuar sot nga Prokuroria e Vlorës në zonën e “Ujit të Ftohtë”. Pasuritë i përkasin një të dënuari me 7 vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, për përfitimin e pronës me sipërfaqe 32 mijë metra katrorë ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar, ndërsa më pas prona ishte ndarë, tjetërsuar dhe kaluar në emër të personave të tretë.
Sipas Prokurorisë, këto veprime kishin për qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurisë. Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë vendosi konfiskimin e pronës fillestare dhe të të gjitha pasurive që rrjedhin prej saj me vlerë rreth 16 milionë euro.



