Rama, mori pjesë sot në takimin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), që u zhvillua në Berlin. Atje ai ka ndarë me gazetarët disa pikëpamje për ndryshimin e kursit të diplomacisë europiane, në kushtet kur edhe Trump po i referohet Putinit si “miku im”.
“Përsëri, e thash edhe në deklaratën hyrëse se ishte diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim. Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.



