Për më shumë se një dekadë, historia e bankave greke në Ballkan ishte një rrëfim tërheqjeje e detyruar. Të gjunjëzuara nga kriza e borxhit sovran dhe të shtyra nga rregullatorët e Brukselit për të tkurrur bilancet e tyre jashtë vendit, huadhënësit e Athinës shitën njëri pas tjetrit filialet që dikur dominonin rajonin.
Në Shqipëri, ky eksod u mbyll në vitin 2021, kur Alpha Bank i kaloi hungarezëve të OTP-së, duke i dhënë fund një pranie 25-vjeçare që në kulmin e saj, në vitin 2008, kontrollonte një të katërtën e tregut.
Por ciklet financiare në Evropën Juglindore kanë një prirje për t’u përsëritur, ndonëse me protagonistë të ripërtërirë. Më 18 nëntor, Eurobank S.A., një nga grupet më të mëdha bankare të Greqisë, njoftoi marrëveshjen për të blerë First Investment Bank (Fibank) të Bullgarisë.
Transaksioni, i cili e vlerëson bankën bullgare në rreth 1 miliard euro, synon të krijojë gjigantin e ri bankar të Sofjes përmes bashkimit të Fibank me filialin ekzistues të Eurobank, Postbank.



