Qeverinë dhe protestat i shpjegon vetëm brisku i Okamit

spot_img
Advertisements

Nga Fitim Zekthi

Në një intervistë të gjatë që ka zhvilluar disa vite më parë, në vitin 2014, pak muaj pas aneksimit të Krimesë, me presidentin rus Vladimir Putin, studiuesi Ivan Krastev kujton një gjë mjaft domethënëse për mënyrën se si politikanë, liderë si Putini sillen dhe e shohin pushtetin e tyre. Në një moment, Putini i thotë se ai nuk largohet nga pushteti, nuk e lë pushtetin (ndonëse ishin bërë 16 vite në atëherë), sepse po ta linte gjithçka do të prishej, vendi do të shkonte keq, ai kishte plane dhe projekte dhe ai ishte i vetmi njeri që mund ta shpëtonte vendin e tij. Putini në atë bisedë flet për armiq të mëdhenj që nuk e duan atë, që nuk e duan Rusinë (për arsyen nuk bëhet fjalë fare, sepse ajo është një instrument i Putinit), flet për luftën e tij ndaj armiqve. Putini i përmend atij se ai i kishte zhdukur armiqtë e tij në media, sepse në fakt nuk ishin armiqtë e tij, por të atdheut dhe punonin për armiqtë e jashtëm, ishin tradhtarë.

Për politikanë të tillë është shkruar gjithmonë. Kjo kategori politikanësh është shfaqur herë pas here në botë dhe do të vazhdojë të shfaqet. Në Shqipëri po e po. Po të shohësh mënyrën se si e shohin veten dhe politikën drejtuesit kryesorë të vendit tonë apo kryetarët e partive të fuqishme, do të mbërrish menjëherë në ngjashmëri të mëdha me mënyrën se si Putini e sheh veten dhe politikën. Kryeministri Rama ka thënë herët se ai ka projekte, prandaj nuk largohet, se ai do të largohet kur ta vendosë vetë, se ai do të largohet kur ta fusë Shqipërinë në BE.

Këta muaj që kanë nisur protestat popullore kundër qeverisë së tij dhe, në fakt, kundër gjithë klasës politike që ka drejtuar vendin në këto 35 vite, ai ka nisur të flasë për armiq të huaj, për armiq të brendshëm, për njerëz që nuk duan vendin. Ai thotë se protestat nxiten nga Irani, nxiten nga faktorë apo organizime politike antisemite, nxiten nga Greqia deri edhe nga Rusia. Njerëzit e tij në media, ose njerëz që duan të bien në syrin e tij (dhe me këtë rënie në sy të kenë ndoshta një mundësi më shumë në dëshirat e tij), flasin më gjerësisht për nxitjen nga Irani, për nxitjen nga “islami politik” (i cili në fakt është një term budalla i krijuar herët në Perëndim nën ombrellën e kolonializmit dhe për qëllime të kolonizimit), për lidhjet e të gjitha këtyre gjërave me antisemitizmin.

Sigurisht që është marrëzi të rrish e të kundërshtosh këto shpjegime, të argumentosh se në Shqipëri dhe ndër shqiptarë nuk niset askush për protesta se është antisemit apo se kërkon të ndërtojë ndonjë Shqipëri të udhëhequr nga ndonjë teokraci. Por gjithsesi, këto mjete propagande qarkullojnë, vijnë vërdallë, u dalin njerëzve nëpër telefonat e tyre, bëjnë xhiro edhe në ndonjë media, sado të vogël, të huaj. Është e kuptueshme që një drejtues, kryetar qeverie, të zhytet në një realitet paralel, të zhytet në mekanizma psikologjikë mbrojtës si mohimi (denialism), të shohë si shpëtim mekanizma mbrojtës si gjetja e armiqve (blame-shifting), të gjejë si zgjidhje po mekanizma mbrojtës si “prerja e kokave” (scapegoatism). E pakuptueshme, e pashpjegueshme është se si të tjerë në media ose në parti mbrojnë këtë sjellje. Nëse këto protesta popullore do të ndodhnin në mes të një qeverisjeje të mirë, të drejtë dhe të një sistemi politik që u jep njerëzve hakun, atëherë edhe mund të kërkoheshin shkaqe të jashtme, mund të kërkohej Irani apo Greqia, “islami politik” apo antisemitizmi etj. A nuk është Shqipëria një vend aq i korruptuar sa edhe shefi i shërbimit sekret bashkëpunon me krimin e organizuar, a është Shqipëria një vend aq i korruptuar sa edhe drejtori më i madh i policisë bashkëpunon me krimin e organizuar, a nuk është Shqipëria një vend aq i korruptuar sa edhe ministri i Brendshëm, ai i Ndërtimit, ajo e Infrastrukturës, ai i Financave, ai i Shëndetësisë, ai i Mjedisit, zëvendëskryeministri, kryetarët e bashkive më të mëdha të Tiranës, Durrësit, Shkodrës janë të akuzuar për korrupsion? A nuk është Shqipëria një vend ku bosët e krimit dhe biznesit marrin toka kudo, ndërtojnë kudo dhe shkelin me këmbë njerëzit e thjeshtë? A nuk është Shqipëria një vend ku kryeministri thotë se nuk ka përgjegjësi për asgjë nga këto, ndonëse ai i ka emëruar dhe madje mbrojtur të gjithë këta kur i emëronte si njerëz shumë të aftë dhe të drejtë? A nuk është Shqipëria e pezmatuar dhe e pashpresë? Pse nuk qenkan këto arsyet e protestave?

Ka një rregull elementar në filozofinë e njohjes që njihet si brisku i Occamit. Ky rregull thotë se, për të kuptuar të vërtetën për diçka, duhet të shohim më parë atë që është më e mundura, më e thjeshta. Për shembull, nëse dëgjon zhurmën e shiut, mendo që po bie shi. Nisu nga kjo. Më pas shiko mundësitë e tjera. Ky rregull ka shekuj që është në botë dhe kështu bota përpiqet të kuptojë të vërtetën. Ne kemi një prej qeverisjeve më të lemerishme, jo thjesht në Europë, por shumë më gjerë, dhe sipas briskut të Okamit është logjike që kjo të jetë arsyeja për protestat. Të tjerat janë vërtet gjëra të dobëta, mendjesh të dobëta.

spot_img

Latest articles

Related articles