Aktualisht pensionistët shqiptarë marrin pensionin më të ulët në Europë në raport me pagat. Kjo nuk është pasojë e një krize të papritur, por e një zgjedhjeje rregullatore: që nga reforma e vitit 2015 pensionet rriten vetëm me inflacionin, ndërsa pagat rriten shumë më shpejt. Qeveria ka njoftuar se skema e re e pensioneve do të finalizohet gjatë 2027 dhe do të nisë të zbatohet në fillim të 2028. Pikërisht për këtë arsye debati duhet bërë tani. Nëse reforma nuk ndërtohet mbi një diagnozë të saktë, mbi rregulla të qarta dhe mbi konsensus të gjerë, ajo rrezikon të kthehet në një tjetër paketë bonusesh që ndihmojnë sot, por nuk e zgjidhin problemin nesër.
Ku ndodhemi sot?
Sipas të dhënave të Eurostat, pensioni bruto mesatar në Shqipëri ra nga 43% në 30% të pagës së grupmoshës 50–59 vjeç midis 2019 dhe 2023, niveli më i ulët në Europë, kundrejt rreth 57–60% në BE dhe 48% në Serbi. Në shifra absolute, pensioni mesatar ishte rreth 183 euro, ndërsa Mali i Zi kishte rreth 450 euro pension minimal, Maqedonia e Veriut 406 euro mesatare dhe Serbia rreth 388 euro.
Shkaku kryesor është rregulli i indeksimit. Në 2021–2025 pensioni mesatar u rrit 16%, ndërsa paga mesatare 47%, dhe sipas Bankës Botërore raporti pension/pagë ra nga 38% në 30%. Me këtë rregull, sa më shpejt të rriten pagat, aq më shumë mbeten pas pensionistët. Problemit i shtohen pensionet e pjesshme, të cilat në 2025 përbënin 55% të pensioneve të pleqërisë, me rreth 13.500 lekë në muaj, sepse shumë njerëz nuk e arrijnë dot pragun e viteve të kontributit, që po rritet drejt mbi 38 vjetësh.
Baza kontributive është e dobët. Rreth 27% e të punësuarve paguajnë kontribute mbi pagën minimale, ndërsa emigracioni neto në 2021–2025 arriti në 166.400 persona, shumica e të cilëve kontribuojnë tashmë në sisteme të huaja. Vetë Ministria e Ekonomisë parashikon vetëm 1,31 kontribues për çdo pension pleqërie në 2026; në 2027 të ardhurat nga kontributet do të jenë 182,3 miliardë lekë kundrejt 215,6 miliardë lekë shpenzime bazë, me një diferencë prej 33,3 miliardë lekësh që mbulohet nga buxheti.
Dallimi me BE-në nuk qëndron te norma e kontributit. Norma shqiptare prej 21,6% është afër mesatares europiane, por për pensionet shkon vetëm rreth 7,4–7,7% e PBB-së, kundrejt 12% në BE, sepse kontributet paguhen mbi një bazë pagash të ulëta dhe të nëndeklaruara. Brenda vendit, pensioni rural mbetet rreth 125 euro, kundrejt 209 eurove në qytet.
Edhe rajoni ka zgjedhur rrugë të tjera. Serbia i rrit pensionet me pagat për sa kohë shpenzimi është nën 10% të PBB-së, kalon në formulën zvicerane mbi këtë prag dhe vetëm me inflacionin mbi 10,5%. Maqedonia e Veriut përdor formulën zvicerane dy herë në vit, ndonëse FMN ka kritikuar rritjet e jashtëzakonshme jashtë formulës. Mali i Zi e çoi pensionin minimal në 450 euro dhe indeksimin e lidhi me pagat dhe inflacionin, por njëkohësisht uli kontributet dhe deficiti i fondit arriti rreth 450 milionë euro, një shembull që duhet shmangur.
Përgjigja e deritanishme e qeverisë shqiptare ka qenë kryesisht diskrecionale. Pensionet u indeksuan me 2,7% nga 1 korriku 2026, ndërsa për 2027 bonusi mujor pritet të dyfishohet: nga 1.800 në 3.600 lekë për pensionet e plota urbane, nga 800 në 1.600 lekë për pensionet e pjesshme dhe nga 1.000 në 2.000 lekë për pensionet rurale, me një kosto prej 20 miliardë lekësh, krahas 4 miliardë lekëve për indeksimin e prillit. Kjo e lehtëson presionin, por nuk e ndryshon formulën. Bonusi vendoset çdo vit, nuk është i garantuar me ligj dhe ia lë pensionistët vullnetit politik të radhës apo me keq lejon përdorimin e kësaj pagese për interesa thjesht elektorale. Një reformë serioze duhet ta zëvendësojë këtë logjikë me rregulla të parashikueshme.
Çfarë mund të mësojmë nga Europa?
Suedia: rregulla automatike dhe transparencë. Sistemi suedez ka një mekanizëm balancimi automatik, i cili e ul indeksimin vetëm kur detyrimet e sistemit tejkalojnë asetet e tij dhe e rikthen kur bilanci përmirësohet. Çdo vit publikohet bilanci aktuarial i sistemit dhe çdo i siguruar merr “zarfin portokalli”, me kontributet e paguara dhe një vlerësim të pensionit të ardhshëm. Për Shqipërinë, modeli i plotë suedez nuk është i nevojshëm, por dy elementë janë të menjëhershëm: raporti aktuarial vjetor i publikuar nga ISSH dhe letra vjetore individuale e pensionit. Logjika e balancimit automatik përshtatet më mirë përmes tavanit fiskal sipas modelit serb.
Slovenia: paketë e balancuar dhe tranzicion i gjatë. Reforma e miratuar në shtator 2025 e rrit gradualisht moshën e pensionit nga 65 në 67 vjeç midis 2028 dhe 2035, zgjat periudhën e referimit për llogaritjen e pensionit nga 24 në 35 vitet më të mira dhe rrit normat e akumulimit; ndërkohë, pagat e ulëta mbrohen nga një dysheme e bazës së llogaritjes prej 76,5% të pagës mesatare. Qeveria theksoi se ndryshimet hyjnë në fuqi pas një periudhe të përshtatshme tranzicioni, në mënyrë që qytetarët dhe institucionet të përshtaten. Mësimi për Shqipërinë është se masat për qëndrueshmërinë dhe ato për përshtatshmërinë duhet të paketohen bashkë dhe të njoftohen vite përpara.
Gjermania: shtesë për karrierat e gjata me paga të ulëta. Që nga 2021, Grundrente u jep një shtesë pensioni atyre që kanë të paktën 33 vjet sigurimi me të ardhura të ulëta, ku numërohen edhe periudhat e rritjes së fëmijëve dhe të kujdesit për familjarët, dhe e drejta verifikohet automatikisht pa aplikim. Shtesa i nënshtrohet një testi të ardhurash, në mënyrë që të shkojë te ata që kanë më shumë nevojë. Ky është modeli më i drejtpërdrejtë për problemin shqiptar të pensioneve të pjesshme: më mirë një shtesë e synuar në ligj sesa bonuse të njëjta për të gjithë.
Irlanda: regjistrim automatik me fazë të gjatë hyrjeje në fuqi. Skema My Future Fund nisi në janar 2026: punonjësit që nuk kanë pension profesional regjistrohen automatikisht, me kontribute që nisin me 1,5% dhe arrijnë 6% në 2035, ndërsa shteti shton 1 euro për çdo 3 euro të kursyera dhe një autoritet qendror kryen administrimin. Brenda vitit, skema kishte mbi 825.000 pjesëmarrës. Për Shqipërinë, ky model tregon se një shtyllë plotësuese mund të ndërtohet gradualisht, me kosto të ulëta administrative dhe pa i ngarkuar menjëherë punëdhënësit.
Lituania: kujdes nga reformat pa konsensus. Në 2019 Lituania futi regjistrimin automatik të punonjësve nën 40 vjeç në shtyllën e dytë, me 3% kontribut personal dhe 1,5% të pagës mesatare nga buxheti. Pas debateve të ashpra, në 2025 u miratua kthimi në një sistem plotësisht vullnetar. Mësimi është i qartë: reformat e pensioneve zgjasin dekada dhe mbijetojnë vetëm nëse kanë mbështetje përtej një mandati qeverisës.
Lista e çështjeve që duhet të zgjidhë reforma në Shqipëri
- Rregulli i indeksimit. Formulë e përzier pagë-inflacion (p.sh. 50/50) brenda një tavani fiskal, me kalim te inflacioni kur shpenzimi kalon pragun e caktuar.
- Bonuset diskrecionale. Integrimi gradual i bonusit në pensionin bazë ose zëvendësimi i tij me një shtesë të synuar në ligj, në mënyrë që të ardhurat e pensionistëve të mos varen nga vendimet vjetore.
- Objektivi i përshtatshmërisë. Një objektiv i shpallur publikisht për raportin pension/ pagë dhe një dysheme pensioni e lidhur me një përqindje të qartë të pagës minimale.
- Pensionet e pjesshme. Formulë që i ndëshkon më pak karrierat e shkurtra dhe shtesë e synuar për karrierat e gjata me paga të ulëta.
- Periudhat pa punë. Njohja si vite kontributi e lindjes, kujdesit për fëmijët dhe familjarët dhe papunësisë, e financuar nga buxheti.
- Vitet që mungojnë. Mundësia e blerjes së viteve të kontributit, me lehtësira për të ardhurat e ulëta.
- Skema rurale. Plan konvergjence drejt skemës urbane dhe mekanizëm i realizueshëm kontributi për fermerët.
- Formalizimi i pagave. Paga referuese sipas sektorit dhe kryqëzim i të dhënave tatimore, të fiskalizimit dhe të ISSH-së.
- Emigrantët dhe diaspora. Zgjerimi i marrëveshjeve të sigurimeve shoqërore me vendet kryesore të emigracionit dhe skemë vullnetare kontributesh për diasporën.
- Financimi. Rritje graduale dhe e parashikueshme e transferimit buxhetor, me të ardhura të dedikuara dhe ndarje të qartë midis pjesës kontributive dhe asaj sociale.
- Qëndrueshmëria afatgjatë. Projeksione aktuariale të publikuara çdo vit dhe rishikim periodik i parametrave (mosha, vitet e kontributit) në raport me pritshmërinë e jetës.
- Shtylla plotësuese. Pension profesional me regjistrim automatik, kosto të kufizuara dhe mbikëqyrje të fortë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
- Pensionet e veçanta. Rishikim i trajtimeve të veçanta dhe i financimit të tyre, në mënyrë që ato të mos rëndojnë skemën kontributive.
- Transparenca. Letër vjetore individuale e pensionit, edhe në formë elektronike, me kontributet e paguara dhe pensionin e pritshëm.
- Qeverisja. Komision i pavarur pensionesh, rol i qartë i partnerëve socialë dhe konsensus ndërpartiak për rregullat bazë.
Kalendari, nëse ka vullnet politik
Afati i njoftuar nga qeveria, me finalizim në 2027 dhe zbatim nga 2028, është i realizueshëm vetëm nëse puna nis menjëherë dhe ndiqet një rend i qartë.
Dhjetor 2026 – mars 2027: diagnoza
- Ngritja e një grupi pune teknik me ISSH-në, Ministrinë e Financave, partnerët socialë dhe ekspertë të pavarur.
- Auditim aktuarial i ISSH-së dhe publikimi i projeksioneve deri në 2050.
- Marrëveshje politike për parimet bazë të reformës, përpara se të diskutohen parametrat.
Prill – qershor 2027: opsionet
- Publikimi i një “libri të bardhë” me dy-tre skenarë indeksimi, dyshemeje dhe financimi, me koston fiskale për secilin.
- Konsultim publik dhe diskutim në Këshillin Kombëtar të Punës.
Korrik – dhjetor 2027: ligji
- Hartimi i projektligjit dhe vlerësimi i ndikimit fiskal dhe social.
- Miratimi në Kuvend me shumicë të gjerë, përpara buxhetit të 2028.
- Përgatitja e sistemeve të ISSH-së për formulën e re dhe për letrën vjetore të pensionit.
2028: bërthama e reformës
- Hyrja në fuqi e rregullit të ri të indeksimit dhe e dyshemesë së lidhur me pagën minimale.
- Njohja e periudhave të lindjes, kujdesit dhe papunësisë si vite kontributi.
- Fillimi i integrimit të bonusit në pension dhe dërgimi i letrave të para vjetore.
- Kryqëzimi sistematik i të dhënave për formalizimin e pagave.
2029: zgjerimi
- Fillimi i reformës së skemës rurale dhe i blerjes së viteve që mungojnë.
- Pilot i regjistrimit automatik në shtyllën plotësuese, fillimisht në sektorin publik dhe te punëdhënësit e mëdhenj.
- Rritja e parë e programuar e transferimit buxhetor.
2030 e në vijim: vlerësimi
- Shtrirja e regjistrimit automatik te të gjithë punëdhënësit.
- Vlerësim i pavarur i reformës dhe rishikim i parametrave çdo pesë vjet.
- Objektivi: rikthimi i raportit pension/pagë mbi 40%, si para 2019.
Përfundim
Shqipëria nuk ka nevojë për një revolucion pensionesh dhe për bonuse – joshje elektorale për një popullsi që po plaket me shpejtësi, por për rregulla që vetëfunksiojnë dhe që nuk varen nga cikli zgjedhor. Pensionet duhet të ndjekin, të paktën pjesërisht, rritjen e pagave; pensionet më të ulëta duhet të mbrohen me ligj dhe jo me bonuse vjetore; dhe baza kontributive duhet zgjeruar përmes formalizimit, jo përmes rritjes së normës. Edhe me këtë paketë, arritja e nivelit të Serbisë ose të Maqedonisë së Veriut kërkon më shumë se një mandat qeverisës. Prandaj testi i vërtetë i reformës së 2028 nuk do të jetë sa shumë do të rriten pensionet vitin e parë, por nëse rregullat e reja do të mbijetojnë ndërrimin e qeverive.



