Studiuesi Aurel Plasari shprehet kundër çdo ndërhyrjeje që mund të sjellë tjetërsimin e godinës historike ku u themelua Klubi Patriotik “Labëria” në Vlorë, në kuadër të projektit për ngritjen e Muzeut Hebraik. Plasari ka deklaruar mbështetjen për mbrojtjen e Klubit “Labëria”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike.
“PRO MBROJTJES SË KLUBIT ‘LABËRIA’!
Kundër – krejtësisht kundër – tjetërsimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Monumentet e trashëgimisë kulturore nuk janë thjesht ‘asete turistike’.
Sidomos nuk janë të tilla për atë shumicë turistësh, të cilët i shijojnë nëpër foto sitet historike që nuk kanë pasur kohë t’i shijojnë në vend, ngase kanë qenë të zënë duke bërë fotot.
Monumentet e trashëgimisë kulturore janë shkollë e gjallë për brezat e rinj të njëpasnjëshëm, për të njohur historinë e vendit të tyre, për ta respektuar atë, mirë do të ishte edhe për ta dashuruar”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka marrë vendim për pezullimin e punimeve pranë Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë (ku ndodhet edhe Muzeu Etnografik), lidhur me projektin për ndërtimin e Muzeut Hebraik. Një grup qytetarësh, aktivistësh dhe studiuesish kundërshtojnë ndërhyrjet dhe projektin e planifikuar pranë Klubit “Labëria”, duke pretenduar se dëmtojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Vlorës.



