nga Selim Belortaja
Skakiera jonë politike ka hyrë në një cikël të çuditshëm vendnumuro-je. Si punë e një dadoje të spanuar që rrotullohet bosh; as shtrëngon ..as avancon (populli ka një shprehje më troç për këtë situatë). Edhe më e çuditëshme është që të gjitha palët politike duken jo në ndonjë hall të madh. As në nxitim. Liderat shfaqen të qeshur e optimistë në punën e tyre. Ç’punë?
Opozita kryesore duket në formë. Ajo gëzohet kur qeveria merr nota negative por nuk mërzitet që vetë nuk merr ..asnjë notë! Dhe që “beteja e saj opozitare” prej kohësh prodhon vetëm ..”status quo”-në. E cila edhe për të s’duket aq keq..
Pushteti nga ana e vet, thjesht u fshin vlerësimeve (të brendëshme e të jashtme) pjesën negative dhe shfaq vetëm ..maja arritjesh të sotme e të ardhme. I vjen shumë keq që kohët e fundit njerëzit s’po mahniten më si më parë..
Ndërsa partitë e vogla, duke iu shmangur (jo pa arësye) dy çadrave të mëdha, përkunden në ëndrrën për t’u bërë ..vetë të mëdha! Jo së bashku, po secila ..veç e veç!
Të kënaqur duken edhe tryezat e panelistëve mediatikë. Sidomos pas njohjes së gjatë personale të krijuar mes njëri-tjetrit, në studio ata ndjehen ..si në shtëpi. Anësitë politike janë të qarta sapo hapin gojë. Dhe muhabeti përgjithësisht shkon ..fjollë.



