Nevoja për një Kuvend intelektual, patriotik

spot_img
Advertisements

nga Selim Belortaja

Që përplasjet e fundit kanë sjellë dhe kosto kjo është diçka e dukshme. Dëmtimi i disa bizneseve e infrastrukturës, dëmtimi fizik e psikologjik i protestuesve shpesh të goditur përtej kufirit të së nevojshmes, dëmtimi e traumatizimi i policëve (të rregullt) që sigurisht nuk e duan e nuk e kanë zgjedhur konfrontimin, shpenzimet ekstra që shteti bën për “pajisje më efikase” ndaj protestuesve të dhunshëm, -janë katër grup-kostot kryesore që analizohen ndër tryeza e panele.
Sidoqoftë të katra grupet më sipër janë afatshkurtëra e lusim të tejkalohen shpejt. Qofshin pa zarar sidomos dëmtimet fizike!

Ndërkohë kemi një kosto të pestë (për mua më e rëndësishmja), për të cilën flitet pak e shkarazi: Radikalizimi i sjelljes, ose më thjesht: Çarja dhe ndarja e njerëzve, e shoqërisë shqiptare, e thelluar dukshëm kohët e fundit. Një lloj helmimi i atmosferës dhe vetë indit social shqiptar.
Zor se ka njeri që nuk e ndjen ajrin e ngarkuar me mllef, dyshim, irritim e deri armiqësi, në të gjitha aspektet e nivelet. Jo vetëm në shesh e bulevard, jo vetëm në parlament e në institucionet bipartizane, në panele e debatin mediatik, por edhe në komunikimin ndërpersonal, në vendin e punës, në rrugë, dyqane, autobuz e deri tek ..tryeza e kafes! Të gjithë duket sikur pyesin njëri-tjetrin: ti, je me ne apo me “ata”?
Kësaj si i bëhet. Ky mendoj se është dëmtimi më i thellë e afatgjatë. Rrezik ndaj kohezionit social, komunikimit normal, besimit të ndërsjelltë, deri dhe unitetit komunitar e kombëtar – asete të domosdoshme për një komb që do të përparojë e zhvillohet ..realisht.
Shërimi i kësaj mahisje është më i vështiri dhe nuk zgjidhet me një inventar e ca llogaritje. Kërkohet një mobilizim shumë më i madh, i forcave më të mira, më të kthjellta e sidomos ..më të besueshme të shoqërisë. Jo thjesht tryeza që kanë hall pushtetin dhe manovrat partiake, ca më pak panele televizive, ku sherri, armiqësia deri dhe rrahjet pëlqehen, sepse ..rrisin shikueshmërinë!
Një nisje shpresëdhënëse mund të ishte një Kuvend i gjërë intelektual, patriotik e gjithpërfshirës. Një punë ku liderat e dy blloqeve politike do të duhet të hiqeshin pak mënjanë. Sepse në fakt nuk ofrojnë dot gjë. Le që ky ..as nuk është hall i tyre..

spot_img

Latest articles

Related articles