Protesta 20-ditore e studentëve është shumë më tepër se një revoltë qytetare. Ajo është një goditje e fortë ndaj klasës së vjetër politike, e cila prej më shumë se tri dekadash e mban Shqipërinë peng të të njëjtëve emra, të njëjtave interesa dhe të të njëjtit model qeverisjeje.
Parulla “Rama në burg, Berisha në burg” është mesazhi më domethënës i kësaj proteste. Ajo shpreh refuzimin e qytetarëve për të zgjedhur mes dy alternativave të vjetra dhe kërkesën për një drejtësi që nuk njeh emra, pushtet apo parti.
Për herë të parë pas shumë vitesh, një brez i ri po dëshmon se nuk e pranon më politikën si pronë të individëve dhe as Shqipërinë si peng të përplasjeve Rama-Berisha.
Studentët kanë rrëzuar mitin e të pazëvendësueshmëve!
As Edi Rama dhe as Sali Berisha nuk janë e ardhmja e Shqipërisë. Koha ka treguar se vendi ka nevojë për një kulturë të re politike, për figura me integritet, për institucione të pavarura dhe për një demokraci që funksionon në shërbim të qytetarëve.
Impakti më i madh i kësaj proteste është rikthimi i shpresës. Shpresa se Shqipëria mund të ndryshojë, se të rinjtë mund të marrin në dorë fatin e tyre dhe se demokracia nuk duhet të jetë thjesht një votim çdo katër vjet, por një sistem ku pushteti kontrollohet dhe mban përgjegjësi.
Unë shpreh mbështetjen time të plotë për studentët dhe për çdo qytetar që kërkon drejtësi, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë.
U bëj thirrje prindërve, intelektualëve, pedagogëve, profesionistëve dhe gjithë shoqërisë shqiptare: Mos i lini studentët vetëm! Kjo nuk është vetëm beteja e tyre, por beteja e një shoqërie që kërkon të çlirohet nga apatia dhe nga pengmarrja politike.
Protesta duhet të mbetet e lirë, e pavarur dhe larg çdo përvetësimi partiak. Ajo duhet të jetë zëri i qytetarëve dhe shpresa për një ndryshim të vërtetë.
Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër përballje Rama-Berisha. Ka nevojë për një fillim të ri!
E ardhmja nuk mund të jetë peng i së shkuarës. Ajo u përket të rinjve, qytetarëve dhe të gjithë atyre që besojnë se Shqipëria meriton më shumë.
Eduart Ndocaj



