Revoltohemi, pra jemi! Nga Ag Apolloni

spot_img
Advertisements

Nëse e përjashtojmë periudhën komuniste, Edi Rama është udhëheqësi që ka qeverisur më së gjati Shqipërinë. Pra, ai mban rekord të qeverisjes në demokraci. Pikërisht këtu shfaqet një rrezik: demokracia nis t’i ngjajë diktaturës, e cila dihet si vjen (duke dobësuar konkurrencën politike dhe duke eliminuar mundësinë reale të rotacionit).
Ai ka arritur ta shkatërrojë opozitën, ta forcojë oligarkinë pro-qeveritare dhe të ndihet si një faraon modern. Mënyra se si e mban pushtetin, të bën të dyshosh në vetë modelin e demokracisë. Duke qenë në pozita udhëheqëse që nga 1998 (ministër kulture, kryetar bashkie, kryetar partie, kryeministër Shqipërie), ai është fytyrë e stërekspozuar për gati 30 vjet, dhe kjo do të duhej ta ndërgjegjësonte atë për raportin me publikun. Do të duhej të bëhej më i sjellshëm, më i mençur, më bashkëpunues. Mirëpo, ai ka zgjedhur të bëhet më arrogant, më injorant, më përjashtues. Të tillë shqiptarët s’do ta duronin as faraonin, jo më këtë fafaronin.
Politikanët shqiptarë bien pikërisht atëherë kur ndihen të paprekshëm. Edi Rama ashtu ndihet, dhe shpejt do ta kuptojë se ashtu bihet. Dhe, ashtu siç nuk mund të shitet Shqipëria, as nuk mund të blihet shqiptari. Në raport me historinë dhe gjeografinë e këtij vendi, Rama peshon sa një plesht. Dhe siç po e shohim nga protestat me flakë, mund të themi se shqiptarët po djegin jorganin për një plesht.
Natyrisht, protesta e tillë është manifestim radikal i revoltës së akumuluar përgjatë viteve e dekadave. Shqiptarët kanë pritur një model krejt tjetër nga ai komunist, mirëpo edhe sot ndihen të drejtuar dhe rrethuar nga komunistët dhe trashëgimtarët gjenetikë dhe ideologjikë të tyre.
Mënyra më e shpejtë për ta larguar këtë Qeveri do të ishte sikur protestuesit të kishin një lider rreth të cilit do ta mblidhnin energjinë dhe programin. Por meqë ata janë duke luftuar kultin e liderit, mund t’ia arrijnë qëllimit me një protestë të pandërprerë, deri në fund të vitit tjetër, në mënyrë që viti 2028, t’i gjejë me Qeveri të re të udhëhequr nga përfaqësuesit dhe mbështetësit e protestës. Arroganca dhe korrupsioni – në një anë, dhe solidariteti kolektiv dhe presioni i protestave – në anën tjetër, çojnë detyrimisht në rrëzim e ndërrim pushteti. Ndërprerja e protestës shuan shpresat për ndryshim. Meqë tashmë e dimë atë thënien për pushtetin dhe pelenat, kjo qeveri duhet të bjerë, qoftë edhe për arsye higjienike.
Ju që revoltoheni ndaj pushtetit, keni edhe votën e Kamysë, që thoshte: revoltohemi, pra jemi. Vazhdoni të tregoni që jeni, sepse ashtu i tregoni atij se flamingot që i bashkon rreziku janë më të fortë sesa gjeli që krekoset mbi plehun e pushtetit të vet.

spot_img

Latest articles

Related articles