Një kanal në WhatsApp, i krijuar për të mbështetur fushatën për rizgjedhjen e Luiz Inácio Lula da Silvës, vlerësohet nga aleatët e tij si një faktor kyç që ndihmoi në arritjen e një prej rikthimeve më të papritura në politikën braziliane.
Presidenti i krahut të majtë të Brazilit ishte fillimisht në disavantazh ndaj rivalit të tij të krahut të djathtë, Flavio Bolsonaro, por arriti ta përmbyste situatën në garë brenda vetëm tre javësh.
Në një moment kur shumëkush dyshonte se Lula mund ta ndryshonte rezultatin, u shfaq një kanal në WhatsApp i quajtur “Ushtria e Lulës”, i cili u rrit me shpejtësi duke arritur në 10,8 milionë ndjekës.
Nën drejtimin e kongresmenit Andre Janones, kjo nismë inkurajoi mbështetësit të shpërndanin video, të promovonin hashtag-e dhe të rekrutonin votues të rinj.
Rritja e saj e vrullshme midis dy raundeve të zgjedhjeve ishte veçanërisht domethënëse, pasi dukej se korrigjonte një pabarazi të kahershme në politikën braziliane.
Për vite me radhë, konservatorët e lidhur me ish-presidentin Jair Bolsonaro shiheshin gjerësisht si dominues në mobilizimin politik në internet, veçanërisht në platforma si WhatsApp dhe Telegram.
Shfaqja e “Ushtrisë së Lulës” i bindi shumë mbështetës se e majta braziliane kishte gjetur më në fund një mënyrë për të konkurruar në arenën digjitale. Ky ndryshim ishte veçanërisht i rëndësishëm, duke qenë se rrjetet sociale kanë luajtur një rol qendror në politikën braziliane që nga fitorja e Jair Bolsonaros në zgjedhjet e vitit 2018, kur rrjetet në WhatsApp u bënë një element përcaktues i fushatave politike.
Mesazhet e “Ushtrisë së Lulës” përfshinin shpesh modele të gatshme që ndjekësit mund t’ua dërgonin miqve dhe familjarëve. Për çdo rast, mbështetësve u caktohej një detyrë specifike, me qëllim rritjen e dukshmërisë së Lulës në rrjetet sociale.
Janones u kërkonte shpesh “trupave” të tij që ta bënin virale videon më të fundit të fushatës ose të ndihmonin që një hashtag i ri të merrte dhenë.
“Shokë, urgjente!”, “Mos flini ende”, “Asnjë kafshatë ushqim pa përfunduar misionin!” dhe “Kam edhe një detyrë tjetër para se t’ju liroj”, ishin disa nga udhëzimet e dhëna.
Në prag të zgjedhjeve, kongresmeni organizoi gjithashtu një transmetim të drejtpërdrejtë 24-orësh – të quajtur “transmetimi i kthesës” (turnaround livestream) – edhe pse sondazhet vazhdonin të tregonin një fitore të mundshme për Bolsonaron. Taktika funksionoi, pavarësisht shqetësimeve të disa anëtarëve të Partisë së Punëtorëve se stili shpesh konfrontues i Janones-it në rrjetet sociale mund të dëmtonte imazhin më të moderuar që ata shpresonin të krijonin për Lulën.
Në fjalimin e tij të fitores, Lula iu referua Janones-it si “Gjenerali ynë” dhe e falënderoi atë për “ngritjen e moralit të trupave tona çdo ditë”.
Megjithatë, matja e ndikimit zgjedhor të mobilizimit në internet është jashtëzakonisht e vështirë.
Ndërsa aleatët e Lulës ia atribuojnë “Ushtrisë së Lulës” meritën për nxitjen e rikthimit të tij, shkencëtarët politikë theksojnë se është e pamundur të përcaktohet se sa vota – nëse ka pasur të tilla – janë ndikuar drejtpërdrejt nga operacioni në WhatsApp.
Shkencëtarja politike Denilde Holzhacker argumenton se një ndryshim në strategjinë e fushatës së Lulës ishte çelësi i rikthimit të tij, transmeton BBC.
Ajo shpjegon se, në vend që të mbështetej vetëm te angazhimi në internet, kandidati i Partisë së Punëtorëve arriti ta ndërlidhte fushatën dixhitale me mobilizimin e bazës në terren.



