Nga Fitim Zekthi
Sigurizimi ka qenë gjithnjë një mjet për qeveritë e këqija, për politikanët që shmangin përgjegjësitë. Sigurizimi është konsiderimi i një çështjeje si një çështje ekzistenciale për vendin. Sigurizimi është një koncept i marrëdhënieve ndërkombëtare, i përdorur nga Shkolla e Kopenhagës për të shpjeguar mënyrën se si shtete të ndryshme i trajtojnë çështjet e politikës së jashtme, por edhe ato të brendshme. Sigurisht që qeveritë serioze e përdorin sigurizimin vetëm në trajtimin e çështjeve të sigurisë ndërkombëtare dhe nuk e shohin si një mënyrë për të mbajtur ose garantuar pushtetin e brendshëm.
Kryeministri Rama po përpiqet t’i lexojë protestat dhe revoltën e të rinjve si diçka që ka të bëjë me sigurinë kombëtare të vendit dhe si një çështje të rendit publik. Ai madje po i sigurizon ato duke i shpallur të ndihmuara, të financuara, të frymëzuara dhe të organizuara nga Antifa, nga Irani, nga islami (islamikët, thonë disa njerëz të propagandës së tij, duke përdorur një term kolonialist të sajuar para dy shekujsh) apo nga një ndjenjë antisemitizmi e krijuar nga armiqtë e Shqipërisë. Ai po thotë se vendi është në një moment historik në lidhje me integrimin europian dhe se protestat vetëm sa e rrezikojnë atë, aq më tepër kur, sipas tij, ato bëhen nga njerëz apo organizime si ato të mësipërmet.
Pa u zgjatur, po themi se kryeministri nuk ka paraqitur asnjë provë se protestat dhe revolta bëhen nga Antifa, nga Irani, nga islamikët, nga antisemitistët apo nga interesa të Greqisë, Serbisë etj. Është e qartë se nuk ka çfarë të thotë. Antifa nuk është një organizatë që bën protesta apo revolta në botë, në SHBA, në Francë etj., dhe po vjen t’i bëjë ato në Shqipëri apo ka krijuar një degë në Shqipëri. Antifa është një lloj fryme, një lloj ideje e lindur në SHBA brenda lëvizjes ‘woke’, që pretendon se racizmi, ksenofobia, pushteti i dominimit, sidomos i të bardhëve, dhe pushteti i kontrollit nëpërmjet forcës dhe parasë nga elita politike dhe ekonomike kanë prodhuar padrejtësi të mëdha sociale dhe shtypje të dhunshme të të dobëtëve, të njerëzve me ngjyrë, të emigrantëve etj., dhe kësisoj nuk janë gjë tjetër veçse fashizëm. Kështu që nuk ka arsye të thuhet se kjo frymë ka ardhur këtu (sepse organizatë nuk ka as në SHBA, as në Francë), nuk mund të thuhet se këtu protesta bëhet sepse të bardhët shihen si racistë kundër njerëzve me ngjyrë apo emigrantëve, apo njerëzve me dallime të ndryshme etnike dhe kulturore.
Sa i takon Iranit si nxitës i protestave, edhe kjo është një shpikje e kotë. Maksimumi që mund të bëjë Irani është të nxisë në internet lajme që sulmojnë qeverinë ose që nxisin reagime apo frikëra që do t’i ndihmonin protestat. Por këtë mund ta bëjë edhe qeveria duke prodhuar lajme që e dobësojnë protestën, mund ta bëjnë Franca dhe Gjermania, mund ta bëjë Greqia, mund ta bëjë Kina, mund ta bëjnë SHBA-ja, Spanja, Izraeli apo Anglia. Çdo vend mund të prodhojë lajme nëpërmjet internetit dhe është e pamundur të matet se sa ndikojnë ato, si ndikojnë dhe si e kupton kryeministri që këtë e bën vetëm Irani dhe si e kupton ai që këto lajme shkaktuan protestën dhe revoltën.
Sa u takon “islamikëve”, ky është një budallallëk edhe më i madh. Kryeministri dhe propaganda e tij e kanë fjalën për besimtarët myslimanë, me sa duket. Ai dhe propaganda e tij kanë gjasa të kenë në kokë idenë se ata kanë ndonjë axhendë apo ndonjë ideologji politike që kërkon ta bëjë Shqipërinë një vend islamik, siç thonë disa fashistë në Perëndim, me ligj fetar. Myslimanët shqiptarë janë qytetarë të këtij vendi dhe kanë të drejtë të jenë në protestë dhe kundër qeverisë (sikurse kanë të drejtë edhe të mos shkojnë në protestë). Ata kurrë nuk janë organizuar duke thënë se ky organizim ka një axhendë dhe ideologji të caktuar, dhe këtë e kanë treguar që kur është themeluar shteti shqiptar. Ata janë themelues të shtetit shqiptar ashtu siç është sot, laik dhe me liri kushtetuese të garantuara të besimit dhe të shprehjes së besimit (dhe të protestës).
Ka një tendencë apo një frymë dashakeqe që kërkon t’i mbajë myslimanët jashtë protestës, jashtë jetës publike, jashtë shqetësimeve për vendin, jashtë vetëdijes politike dhe t’i shohë ata më shumë si objekte sesa si subjekte të të drejtave dhe lirive themelore. Nuk ka asnjë axhendë dhe asnjë ide “islamike” në protestë.
Antisemitizmi është po ashtu një budallallëk edhe më i madh se të tjerat. Nuk ka asnjë frymë, asnjë ndjesi kundër hebrenjve dhe Izraelit, kundër besimit apo kulturës së tyre. Absolutisht. Historia ka treguar të kundërtën e kësaj. Vitet pas vitit 1990 po ashtu e kanë treguar këtë. Mund të ketë mes shqiptarëve një ndjenjë zemërimi apo indinjate për atë që po ndodh në Gaza, për krimet e qeverisë së Netanyahut, por kjo nuk ka të bëjë me popullin hebre apo me kulturën dhe qenien e tij. Ajo që bën Netanyahu në Gaza ka shumë, shumë kundërshtarë dhe njerëz të indinjuar në SHBA, në Angli, në Francë, sesa tek ne. Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Izraelit, David Harel, foli me neveri për krimet në Gaza (kryetari ynë i Akademisë nuk do ta bënte kurrë këtë, për shembull).
Gjithsesi, protesta nuk është as kundër Netanyahut. Ajo është një protestë që duhet lexuar mirë dhe drejt. Sigurizimi i saj, kërkimi i legjitimitetit te rendi publik dhe te siguria kombëtare, do ta shkatërrojë edhe më shumë legjitimitetin e qeverisë. Rama, duke u sjellë kështu, i çoi gjërat larg. Ajo që mund të bëhej në qershor nuk bëhej dot më në gusht, ajo që mund të bëhej në gusht nuk bëhet dot në fund të tetorit, ajo që mund të bëhet sot nuk do të bëhet dot as në nëntor. Gjërat bëhen keq e më keq nëse një qeveri sigurizon, për qëllime të mbijetesës politike, një protestë apo një revoltë.



