Nga Ola Xama
Nuk është më një përplasje mes një pjese të shoqërisë që kërkon rrëzimin e Edi Ramës dhe policisë që po bën detyrën.
Është një përplasje mes atyre që e kanë kuptuar që brenda këtij sistemi të ngritur nuk kanë më shpresë dhe mundësi – dhe atyre që duhet të ruajnë përfitimet dhe priviligjet e padrejta.
Në rastin konkret një pjesë e madhe e policisë është aty jo për të mbështetur Edi Ramën, as për të marrë pagën apo shpërblimin se duhet të mbajë familjen. Ata janë aty sepse u duhet të mbrojnë mijëra euro që marrin nga “call center” e paligjshëm, nga pikat e basteve ilegale, nga shpërndarësit e drogës në lagje dhe shkolla, nga shkelësit e rregullave të qarkullimit apo sepse bëhen bodigardë dhe informatorë të krimit.
Policia po mbron një sistem ku vetë punonjësit e saj kanë akses të pasurohen, ndërsa ata që protestojnë në rrugë janë kundër tij.
Kjo është arsyeja se përse policia nuk ka qënë e aftë të mbrojë shëndetin e protestuesit, por e ka dhunuar atë, se përse ka dështuar të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe medias, të deputetëve pjesëmarrës në protestë dhe nuk ka zbatuar rregullat në shoqërimet, arrestimet dhe qëndrimet në komisariate të protestuesve (sidomos të miturve).
Në librin “Pse dështojnë kombet”, dy nobelistët Acemoglu dhe Robison arritën në konkluzionin se kombet bien, kur institucionet politike dhe ekonomike përqëndrojnë pushtetin dhe pasurinë në duart e një elite të vogël në vend që ta shpërndajnë atë.
Roli i autoriteteve të sigurisë në rastet e pushtetit të përqëndruar është të mbrojë elitën dhe jo qytetarin. Sa më shumë protesta kërcënon rendin e vendosur, aq më ekspansive bëhen ato. Që pushtetu të garantojë mbajtjen e privilegjeve, u duhet t’i ndajë me ata që i garantojnë shtypjen e të pakënaqurve.



