Kryeministri Edi Rama i cilësoi aktet e dhunës në protestën e 8 ditëve në Shqipëri si të orkestruara nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, me synimin për të destabilizuar Shqipërinë dhe vende të tjera të Evropës.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi qeveria do të nxjerrë shumë shpejt paketën e masave ku synohet edhe ngritja e një regjistri për njerëzit e dhunshëm të cilëve do t’u mohohen aksesi në hotele dhe aeroporte.
“Histeria dhe dhuna mori peng Tiranën, duke krijuar në të njëjtën kohë idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para me flakë dhe gurë të gjithë Shqipërinë. Për ne nuk ka asnjë dyshim që është një dhunë e orkestruar nga elementë jashtë dhe brenda.
Ndodh edhe në kryeqytetet e tjera të Europës nga Antifa dhe pjesë të tjera të radikalizuara. Ky është vetëm një nga komponentët e dhunës. Vajza e djem të ekstremizuar që ulërasin e bëjnë thirrje si në mesjetë për të burgosur këdo që përfaqëson të keqen sipas tyre. Ana tjetër është komponenti i kriminalitetit i lagjeve dhe periferive që mblidhen me sponsorizimin e partive politike.
Do t’i ndjekim këmbë këmbës. Ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën në mendje, që të largohen nga ajo rrugë një orë e më parë. Kushdo që ka një fëmijë të mitur duhet të kujdeset për të. Do t’ju vijë fatura në familje.
Nuk do të marrë asnjë shërbim nga shteti familja e fëmijës që djeg pronën e tjetrit. Do t’u mbyllen akseset në trena, aeroporte, hotele, mjete transporti. Do të bashkëpunojmë dhe kemi nisur bashkëpunimin me vendet europiane për ndalimin e aksesit në ato vende si njerëz të dhunshëm”, u shpreh kryeministri.



