Nga Esmeralda Mulaj
Edhe sa kohë do ta sakrifikoni Kosovën për interesat tuaja politike dhe ekonomike me Rusinë dhe Serbinë? Edhe sa prova ju duhen për të kuptuar se paqja e ndërtuar mbi lëshimet ndaj agresorit nuk është paqe, por një krizë e shtyrë për më vonë?
Mjaft më me standarde të dyfishta! Mjaft më me predikime për drejtësinë, ndërsa vetë drejtësia vihet në pikëpyetje! Mjaft më me Kosovën si viktimë të kalkulimeve të fuqive të mëdha!
Për vite me radhë, Perëndimi ka kërkuar nga shqiptarët të besojnë te institucionet ndërkombëtare, te drejtësia dhe te premtimi se sakrifica për lirinë nuk do të harrohet. Por çfarë mesazhi po i dërgohet sot Kosovës, kur një gjykatë e krijuar për të trajtuar pretendime të rënda për krime të luftës kthehet në qendër të dyshimeve për paanshmërinë, barazinë dhe standardet e drejtësisë?
Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në një kontekst të fortë ndërkombëtar, pas raportit të Dick Marty-t dhe presionit politik që pasoi.
Jason Steinbaum, ish Drejtori i Stafit pranë Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan, për 30 vjet ka bërë publik fktin se Presidenti Obama kërkoj ngritjen e Gjykatës Speciale, si një koncesion politik ndaj përfshirjes së Rusisë në marrëveshje me Iranin rreth armëve bërthamore.
Drejtësia nuk mund të jetë çmimi që një popull duhet të paguajë për të ruajtur marrëdhëniet e mira të fuqive të mëdha me Serbinë.
SERBIA NUK MUND TË JETË NJËKOHËSISHT AGRESORI DHE FURNIZUESI I PROVAVE KUNDËR ATYRE QË LUFTUAN KUNDËR SAJ
Deklaratat e Milovan Drecunit, politikanit serb dhe pjesëtarit të grupit të punës të ngritur nga Serbia, kanë ngritur pikëpyetje që nuk mund të anashkalohen.
Sipas deklarimeve të tij, grupi serb kishte bashkëpunuar me Prokurorinë që në fillim të procesit, duke dorëzuar të dhëna për më shumë se 100 lokacione të pretenduara si vende paraburgimi të paligjshëm. Drecun pretendoi gjithashtu se Prokuroria kishte kërkuar dokumente dhe materiale origjinale të sekuestruara në shtabet e UÇK-së, për të mbështetur pretendimet mbi strukturën hierarkike dhe përgjegjësinë komanduese.
Ai e përshkroi ndërmarrjen e përbashkët kriminale si elementin më të rëndësishëm të çështjes dhe e përdori atë për të argumentuar se UÇK-ja kishte karakter terrorist.
Këto ngrenë një pyetje thelbësore që duhet të shqetësojnë çdo europian të përgjegjshëm: çfarë materialesh janë marrë nga institucionet serbe, si janë verifikuar ato dhe çfarë garancish ekzistojnë se provat e një pale të interesuar janë shqyrtuar me paanshmëri të plotë?
Si është e mundur që Serbia, shteti kundër të cilit ndërhyri NATO-ja për t’i dhënë fund dhunës dhe represionit në Kosovë, të paraqitet sot si burim i rëndësishëm materialesh në një proces që prek drejtpërdrejt historinë e luftës çlirimtare të shqiptarëve?
VUÇIÇI, PARALAJMËRIMI PËR DËNIMIN DHE PYETJA QË NUK MUND TË HESHTET
Deklarata e Aleksandar Vuçiçit pas takimit me presidentin francez Emanuel Macron se i ishte thënë nga një lider evropian se Hashim Thaçi do të merrte një dënim të rëndë është një pretendim që kërkon sqarim urgjent.
Kush ishte ky lider? A kishte informacion paraprak për rezultatin e procesit? A kishte ndërhyrje politike, për të denuar Thaçin e kënaqur Vuçiçin?
Nëse një udhëheqës politik ka pasur informacion të besueshëm për një dënim të pritshëm përpara se gjykata të shpallte vendimin, kjo ngre një shqetësim serioz për perceptimin e pavarësisë së drejtësisë.
Nuk mjafton që institucionet evropiane të përsërisin se gjykata është e pavarur. Në një çështje kaq të ndjeshme, besueshmëria kërkon përgjigje konkrete.
GJASHTË VJET NË PARABURGIM: A DO TA PRANONIT KËTË STANDARD NË VENDET TUAJA?
Ish-drejtuesit e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim për rreth gjashtë vjet deri në këtë fazë të procesit. Kjo kohëzgjatje ngre pyetje të ligjshme për proporcionalitetin, arsyetimin e vazhdimit të paraburgimit dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve.
Paraburgimi nuk është dënim. Prezumimi i pafajësisë nuk është privilegj që u jepet vetëm qytetarëve të fuqive të mëdha; është një parim themelor i drejtësisë.
Prandaj, pyetja për institucionet evropiane është e drejtpërdrejtë: a do ta konsideronit të pranueshëm të njëjtin standard nëse një ish-kryeministër apo ish-president i vendit tuaj do të mbahej për vite në paraburgim, në pritje të një vendimi përfundimtar?
OBAMA, MERKEL DHE KOSTOJA E KOMPROMISEVE ME SERBINË
Dhomat e Specializuara nuk mund të shkëputen nga konteksti politik në të cilin u krijuan. Administrata e Barack Obamës dhe qeveria e Angela Merkelit ishin ndër aktorët kryesorë perëndimorë të periudhës kur u shty përpara procesi që çoi në krijimin e tyre.
Davor Ivo Stier, eurodeputet kroat deklaroi se fundmi se ish-kancelarja Angela Merkel, ka mbështetur ngjitjen politike të Aleksandar Vuçiqit, dhe kjo ndodhi në periudhën kur Berlini po thellonte bashkëpunimin energjetik dhe tregtar me Rusinë përmes gazsjellësit “Nord Stream”.
Historia evropiane e varësisë energjetike nga Moska tregon se interesat ekonomike dhe llogaritjet strategjike mund të ndikojnë në politikën e jashtme.
Sot, pas pushtimit rus të Ukrainës, Evropa e njeh më mirë sesa dikur koston e nënvlerësimit të ambicieve të Moskës dhe në të njëjtën linjë të Serbisë
A do të përsërisë të njëjtin gabim në Ballkan, duke e trajtuar Serbinë si një partner që duhet ruajtur me çdo kusht, edhe kur veprimet e saj ngrenë shqetësime serioze për sigurinë rajonale?
BOSNJA, UKRAINA DHE MËSIMI QË EVROPA VAZHDON TË MOS E MARRË
Bosnjë-Hercegovina mbetet plagë e hapur e historisë evropiane. Masakrat, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Srebrenicës dëshmojnë se çfarë ndodh kur paralajmërimet injorohen dhe kur komuniteti ndërkombëtar nuk vepron në kohë ose me keq
Përgjegjësia për krimet i takon autorëve dhe strukturave që i organizuan e i zbatuan. Por dështimet e bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar mizoritë janë pjesë e një historie që Evropa nuk duhet ta harrojë.
Srebrenica ishte shpallur “zonë e sigurt” e mbrojtur nga trupat paqeruajtëse holandeze të OKB-së, të cilat nuk arritën të parandalonin pushtimin e qytetit. Sot Vuçiç përcjell me nderime shtetërore Mlladiç ndërsa Europa në emer të asaj që e quan drejtësi të pavarur mbështet dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit,Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata mbrojtën popullin e tyre dhe nuk lejuan që Kosova të kthehej në një bosnje.
Edhe lufta në Ukrainë ka treguar se besimi se agresori do të kënaqet me lëshime të njëpasnjëshme mund të jetë një gabim strategjik me pasoja katastrofike.
Për këtë arsye, politika ndaj Ballkanit nuk mund të mbështetet te shpresa se Serbia do të ndryshojë qëndrimet e saj vetëm sepse Perëndimi i ofron më shumë hapësirë diplomatike dhe ekonomike dhe i ben favore si ajo me dhomat e specializuara.
Evropa duhet të kuptojë se stabiliteti nuk ndërtohet duke u kërkuar vazhdimisht lëshime palëve më të vogla, ndërsa ndaj palëve më të fuqishme tregohet tolerancë strategjike.
A E KENI HARRUAR PSE NDËRHYRI NATO-JA NË KOSOVË?
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 nuk ishte një episod i parëndësishëm në historinë e Evropës. Ajo erdhi në kontekstin e represionit, dëbimeve masive dhe krizës humanitare në Kosovë.
A e mbani mend këtë histori kur flisni sot për Kosovën?
A e mbani mend se shqiptarët nuk e kërkuan lirinë si një favor të dhuruar nga fuqitë e mëdha, por si një të drejtë për të jetuar të lirë, pa represion dhe pa frikën e dhunës?
Dhe a e kuptoni se drejtësia ndërkombëtare humbet besueshmërinë kur perceptohet sikur historia e një konflikti trajtohet përmes një këndvështrimi të kufizuar, ndërsa krimet e tjera mbeten pa përgjigjen e merituar?
Në Kosovë, mijëra familje vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për krimet e luftës. Gratë dhe burrat që përjetuan dhunën seksuale, familjet e viktimave të masakrave dhe të afërmit e personave të zhdukur meritojnë drejtësi të plotë.
Pse drejtësia për ta nuk është po aq e pranishme në vëmendjen tuaj publike?
Pse, pas kaq shumë vitesh, familjet e rreth 1,600 personave ende të zhdukur vazhdojnë të kërkojnë përgjigje? Pse 20 moje viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të përballen me barrën e traumës dhe të kujtesës e askush nuk është denuar?
A ekziston një precedent tjetër për një gjykatë me këtë strukturë dhe këtë vendndodhje, në botë?
MOS E BËNI KOSOVËN VIKTIMËN E RADHËS TË LLOGARITJEVE TUAJA
Sulmi në Banjskë në vitin 2023 tregoi se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës nuk i përkasin vetëm së kaluarës. Ai kërkoi një përgjigje serioze për përgjegjësinë e autorëve, për lidhjet e mundshme me struktura shtetërore dhe për rrezikun e përsëritjes së akteve të dhunshme.
Prandaj, drejtësia për luftën e kaluar dhe siguria për paqen e sotme nuk mund të trajtohen si çështje të ndara.
Mos prisni që një tjetër krizë t’ju detyrojë të pranoni se paralajmërimet ishin aty. Mos e përsërisni gabimin e besimit se lëshimet e njëanshme prodhojnë paqe të qëndrueshme.
Drejtësia nuk mund të përdoret për të zgjidhur pazare politike, për të mbrojtur interesa ekonomike apo për të ruajtur ekuilibra strategjikë në kurriz të një populli më të vogël.
Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë zbatim te standarteve dhe procedurave te drejtësisë perendimore, drejtësi për viktimat e tyre, përgjigje për të zhdukurit, ndëshkim për autorët e krimeve dhe respektim të të drejtave të të akuzuarve.
Këto kërkesa nuk janë kontradiktore. Janë themeli i një drejtësie që pretendon të jetë universale.
Nuk mund të ketë dy drejtësi një për europën dhe një për pazare gjeopolitike
Prandaj, mesazhi për Brukselin, Berlinin dhe të gjitha kryeqytetet perëndimore është i qartë: Kosova nuk është monedhë shkëmbimi. Liria e saj nuk është mjet negocimi. Drejtësia nuk është instrument për të ruajtur marrëdhëniet me Serbinë.
Shqiptarët nuk kanë kërkuar privilegje. Kanë kërkuar liri, dinjitet dhe drejtësi. Dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga këto të drejta



