Violinisti shqiptar Beng Bakalli është dënuar me 3 vite burg në Francë, 1 me liri me kusht dhe me 1.1 milion euro gjobë për trafik kokaine.
Gjykata Penale e Nicës e dha vendimin më 9 tetor për babain e katër fëmijëve. Gjoba korrespondon me vlerën e ngarkesës së 38.3 kilogramëve kokainë që iu sekuestruan në arrestimin e tij në gusht të këtij viti. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burg.
Violinisti, i cili ishte anëtar me kohë të pjesshme i Orkestrës Simfonike të Bourgogne-Franche-Comté, u ndalua pranë kufirit franko-italian më 10 gusht.
Doganierët kontrolluan një automjet Citroën C5 Aircross, të drejtuar nga Bakalli në pikën e pagesës së tarifës rrugore në La Turbie, në autostradën A8, në departamentin Alpes-Maritimes.
Poshtë tapetit të dyshemesë së makinës, ata zbuluan një sasi të madhe droge, konkretisht 38,33 kilogramë kokainë, me një vlerë që, nëse shitej në treg, do të kalonte një milion euro.
Por kjo nuk ishte e gjitha. Ndërsa muzikanti ndodhej në paraburgim në Nicë, hetuesit kontrolluan banesën e tij në Besançon, ku gjetën 90.000 euro, si dhe katër armë zjarri të kategorive B dhe C dhe një sasi të madhe municionesh.
Lidhur me shumën e madhe të parave të gatshme, i dyshuari kishte deklaruar se ato ishin një dhuratë nga babai i tij, Hassan Bakalli, gjithashtu violinist. Ndërsa për armët dhe municionet, ai kishte shpjeguar se merrej me qitje sportive.



