Vodhën 6 makina në Kavajë, Durrës e Tiranë dhe xhiron e një karburanti, arrestohen dy të rinjtë nga Tirana

spot_img
Advertisements

Leonard Rakipllari, 37 vjeç dhe Adnand Hupi, 32 vjeç, janë arrestuar pasi u kapën duke lëvizur me një automjet të vjedhur, ndërsa dyshohen për një seri vjedhjesh makinash në Tiranë dhe Durrës. Në një prej rasteve, sipas Policisë, pronari i automjetit është kërcënuar me thikë.

Rakipllari dhe Hupi, të dy banues në Tiranë, ishin shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti në Kavajë më 24 shtator 2026. Pas vjedhjes, sipas Policisë, ata janë ndihmuar të largohen nga Landi Dedej dhe Besmir Sula, të cilët janë arrestuar. Dedej dhe Sula akuzohen se kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Gjatë ndërhyrjes për kapjen e tyre, efektivët e policisë lokalizuan automjetin me targa të huaja me të cilin qarkullonin të dyshuarit. Pavarësisht shenjës për ndalim, autorët nuk u janë bindur urdhrave dhe kanë kundërshtuar veprimet e policisë. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se edhe automjeti me të cilin po lëviznin ishte i vjedhur.

Nga hetimet e kryera dokumentohet se dy të arrestuarit, gjatë muajit shtator, kanë vjedhur gjithsej 6 automjete: 1 në Kavajë, 3 në Durrës dhe 2 në Tiranë. Në njërin prej rasteve të ndodhura në kryeqytet, autorët kanë kanosur me thikë pronarin e mjetit për t’ia marrë atë.

Gjithashtu, shtetasi A. H. akuzohet se më 17 shtator ka vjedhur me dhunë xhiron ditore monetare në një pikë karburanti në Bulqizë.

Strukturat hetimore po vijojnë punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera të mundshme të kryera nga ky grup, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

spot_img

Latest articles

Related articles