Kimberly Guilfoyle ndodhej shumë larg Mar-a-Lago-s.
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi — ish-e fejuara e Donald Trump Jr. — po udhëtonte shpesh drejt kryeqytetit të Bullgarisë për një mision gjatë kësaj pranvere. Administrata Trump dëshironte që aleatët në kufirin lindor të Evropës të blinin gaz natyror amerikan në vlerë prej miliarda dollarësh.
Kishte vetëm një gjë.
Ajo u thoshte njerëzve se qeveria bullgare duhet të bashkëpunonte me një kompani greke ndërtimi të quajtur “Aktor Group” — një kompani e re në biznesin e gazit, e cila ishte lidhur me një kompani energjetike greke të mbështetur nga shteti për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja. “Nuk ka dyshim se ky është një lloj qëndrimi zyrtar i qeverisë së SHBA-së,” tha një person i njohur me bisedimet.
Krahas ambasadores 57-vjeçare, gjatë një takimi me presidentin bullgar, qëndronte një 39-vjeçar i quajtur Christos Marafatsos. Ai kishte marrë pjesë në kaq shumë takime të saj, saqë disa zyrtarë të huaj e ngatërronin atë me shefin e saj të kabinetit. Në fakt, ai është një lobist kryesor për “Aktor”-in, shefi ekzekutiv i së cilës e kishte transportuar Guilfoyle-n në vend me një avion privat.
Dikur prokurore dhe tashmë një ikonë e lëvizjes MAGA, Guilfoyle po e shfrytëzon postin e saj si ambasadore në Greqi për të marrë një nga rolet më të rëndësishme diplomatike të administratës Trump. Ish-moderatorja e “Fox News” ka udhëtuar nëpër Ballkan për të ndihmuar Evropën që të shkëputet nga varësia ndaj energjisë ruse, përmes një “korridori vertikal gazi” që synon të marrë LNG-në amerikane në Greqi dhe ta transportojë atë me tubacione drejt Ukrainës.
Megjithatë, ajo ka krijuar paqartësi te zyrtarët qeveritarë në të gjithë rajonin me promovimin e saj këmbëngulës të një kompanie specifike greke, si dhe me përpjekjet e gjera për të përfshirë Marafatsos-in, një rishtar si në diplomaci ashtu edhe në sektorin e energjisë.
Përvoja e tij e mëparshme përfshin bashkëthemelimin e një kompanie shpërndarëse të produkteve bujqësore në zonën e Uashingtonit (D.C.) dhe punën në biznese të ndryshme, që nga konsulenca për pasuritë e paluajtshme e deri te krijimi i “përvojës përfundimtare gjithëpërfshirëse” (immersive experience) të Akropolit në formatin IMAX 3-D. Kohët e fundit, Marafatsos – i cili është rritur në Maryland – shihet shpesh në krah të Guilfoyle-s, duke vepruar si një lloj “portieri” jozyrtar i saj dhe duke e shoqëruar në takime në rezidencën e saj si ambasadore, si dhe në takime me zyrtarë qeveritarë në vende të ndryshme të rajonit – një veprim tejet i pazakontë për një qytetar të thjeshtë.



