Fjalimi i Edi Rama në OKB – ANALIZA

spot_img
Advertisements

Fjalimi i Edi Rama në OKB:

Politikanët e vegjël e të paaftë për të qeverisur kanë një traditë:

ata nisin e flasin për çështjet e mëdha të yjeve, të luftrave, për politikat e mëdha globale dhe për sfidat e njerëzimit; sfida të cilat së pari nuk i kuptojnë dhe së dyti duken qesharakë kur i flasin, pasi kuptohet qartë se fjalimin e kanë shkruar duke mbledhur katër-pesë artikuj nga media botërore, dhe sepse fjala e tyre nuk përputhet me fuqinë dhe me rolin e shtetit të cilin ata përfaqësojnë.

Edi Rama foli për Inteligjencën Artificiale, për përballjen e njeriut me teknologjinë, për demokracinë, dhe për të ardhmen e njerëzimit në përballjen me robotët. Kishte lexuar disa artikuj në media dhe mbi to kishte ndërtuar fjalimin, duke imagjinuar se botës do t’i ngjajë simpatik.

Mirëpo në Shqipëri ka një tjetër përballje:

Përballja e shqiptarëve me tatimorët e Edi Ramës të cilët duan gjobë, përballja me gjobëvënësit me uniformë, përballja me zaptuesit e trojeve, përballja me hajdutët e tenderave. Përballja me personat në kërkim të cilët vazhdojnë marrin tendera, përballja me mentalitetin e prauar tashmë, se paraja e drogës është zhvillim, shyqyr që e kemi; për prodhim industrial e teknologjik as bëhet fjalë. Ekonomia zyrtare e shtet-kartelit, padyshim është droga. Jo prodhimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm.

Nuk i kemi fituar ende ne si shtet disa përballje të tjera të rëndomta që kryeministri i Shqipërisë të ketë fytyrë të flasë për tema globale.

Kryeministri i dështuar me sigurinë e dëshmuar edhe së fundmi me skandalin “Agas-Hysen”, super i dështuar me ekonominë dhe me shpërndarjen e rritjes ekonomike në popullsi, aq sa ka shkaktuar emigrimin e mijëra e mijëra njerëzve; krejt i dështuar në teknologji aq sa ka dorëzuar Hapsirën dhe Sigurinë Teknologjike tek disa banda kriminale të cilat part-time merren edhe me teknologji. I dështuar me territorin aq sa e ka bërë Shqipërinë arrna-arrna.

Ndoqa fjalimin e Trump, fjalimin e Netanjahu, fjalimin e ministrit të jashtëm të Iranit; të gjithë folën në përputhje me rolin e tyre dhe me pozicionimin e tyre në territor, kohë, hapsirë dhe temë. Asnjëri nuk ishte aq amator, aq qesharak dhe aq i shkëputur nga çfarë përfaqëson.

Shqipëria sot e shumta mundet të flasë për Rajonin e Ballkanit, sepse deri këtu e kemi rolin tonë dhe mundësitë tona potenciale. Nuk u fol asgjë se cili është roli ynë në Ballkan, çfarë ne marrim përsipër e për çfarë ne angazhohemi, a mundemi ne të jemi shtet model në trajtimin e njeriut, parasë, territorit, fqinjëve. A mundemi të jemi shtet promotor të paktën vetëm në një fushë? Asgjë në lidhje me këto tema.

Udhëheqja shqiptare është arkaike, qesharake dhe skandaloze në ato çfarë thotë e në mënyrën si vepron. Shqipëria ka nevojë për politikë serioze e profesionale.

nga Indrit Vokshi

spot_img

Latest articles

Related articles