Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve që i vinin në Facebook, ka komentuar nisjen e detyrës së ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj.
I pyetur nëse është i ftuar në ceremoninë që Ambasada e SHBA-së do të organizojë më 2 tetor për prezantimin e ambasadorit të ri, Berisha tha se nuk ka dijeni për eventin.
“E uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam asnjë dijeni për ceremoninë”, u shpreh Berisha.
Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur të hënën nga Presidenti Begaj për rastin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, Berisha tha se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë.
“Nuk kam marrë asnjë ftesë”, deklaroi kreu i PD-së.
Mosftesa e liderit të opozitës si në ambasadën e SHBA si në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare “është më shumë se një krim është një gabim”, për ta thënë me një formulë të ish ministrit të Jashtëm të Francës, C. M. Talleyrand. Kryetari i PD është një personalitet politik, me kontribute shtetërore, që përfaqëson një elektorat të madh në vend dhe që duhet respektuar si institucion, pavarësisht këndvështrimeve të caktuara. Ambasada e SHBA nuk duhet të ketë komplekse përderisa kreu i PD takon prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, senatorë e kongresmenë në ceremoni publike. Po ashtu, Presidenti Begaj nuk duhet të ketë komplekse nga kryeministri Rama, i cili me veprimet e mosveprimet e tij, është fajtori kryesor i axhendës së ditës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai i ka dhënë akses institucional njerëzve problematikë të malavitës, çka parardhësit e tij e kishin tabu.



