Raporti mes politikanit shqiptar dhe buxhetit të shtetit ka qёnё gjithnjё problematik. Kur bëhet fjalë për qytetarin, gjithmonë gjendet një arsye pse nuk ka para, pse duhet pritur, pse procedura kërkon kohë. Kur bëhet fjalë për politikanin, çdo qindarkë që ligji mund t’i japë kthehet në parim.
Telefonin? Ma rimburso. Dietën? Ma paguaj. Përfitimin financiar? Ma jep. Nuk ka rëndësi sa kohë ka kaluar. Ma jep, se s`po e nxjerr nga xhep yt.
Jorida Tabaku është sot një ilustrim perfekt i këtij raporti të politikës me arkën publike.
Deputetja ka paditur Kuvendin e Shqipërisë duke kërkuar “përfitimet financiare të papaguara” që, sipas saj, burojnë nga legjislacioni për Statusin e Deputetit. Madje paratë që kërkon nuk i përkasin këtij mandati. Janë për periudhat 1 korrik 2014–1 janar 2015 dhe 1 shkurt–1 qershor 2017.
Dhe për to është vënë në lëvizje i gjithë mekanizmi i drejtësisë.
Çështja ka kaluar në gjykatën administrative dhe prej vitit 2019 ndodhet në Gjykatën e Lartë pas rekursit të Kuvendit. Më 23 shtator 2026 është caktuar përsëri për shqyrtim.




